Krasniqi: Familja Jashari dha gjithçka, sot askush nuk do ta jepte fëmijën për Kosovën

(Lajm i përditësuar)
Krasniqi: Familja Jashari dha gjithçka, sot askush nuk do ta jepte fëmijën për Kosovën
Kandidati për deputet nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Dardan Krasniqi, ka bërë thirrje për ndryshim politik në vend. Duke folur në debatin zgjedhor të RTV21, Krasniqi krahasoi sakrificën e familjes Jashari gjatë Epopesë së UÇK-së me gjendjen aktuale në vend.
“Nëse marrim 5, 6 dhe 7 marsin e vitit 1998, Epopenë e familjes Jashari, ku baca Shaban me krejt familjen dha gjithçka për lirinë dhe çlirimin e vendit, dhe nëse vijmë sot te 5, 6 e 7 marsi i vitit 2026, asnjë qytetar nuk do ta jepte më asnjë thua të fëmijëve të vet për Kosovën. Asnjë, përfshirë edhe ne që jemi këtu”, deklaroi ai.
Sipas Krasniqit, kjo gjendje është rezultat i zhgënjimit të qytetarëve me institucionet dhe zhvillimet politike në vend.
Ai shtoi se partitë opozitare duhet të bashkërendojnë veprimet e tyre për të sjellë ndryshim në qeverisje.
“Partitë opozitare duhet të punojnë për ta larguar këtë qeveri”, tha Krasniqi.
Dardan Krasniqi: Policia e Kosovës prej gjashtë vitesh pa uniforma të reja, anëtarësimi në NATO prioritet i AAK-së
Kandidati për deputet nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Dardan Krasniqi, në debatin zgjedhor të RTV21 ka shpalosur programin e partisë për zgjedhjet e 7 qershorit, duke ngritur shqetësime për gjendjen në sektorin e sigurisë dhe mbrojtjes.
Krasniqi kritikoi qeverisjen e viteve të fundit për, siç tha ai, mungesën e investimeve në Policinë e Kosovës.
“Qe gjashtë vite Policia e Kosovës nuk është pajisur me uniforma të reja. Nëse i sheh policët pa kapele duke vozitur motoçikleta, kjo përbën edhe shkelje të rregullave”, deklaroi ai.
Ai foli edhe për çështjen e mbrojtjes, duke kujtuar premtimet për shërbimin e detyrueshëm ushtarak, të cilat sipas tij nuk janë realizuar.
“Kemi pasur premtime që nga viti 2020 për ta bërë obligativ shërbimin ushtarak. Kemi një kryeministër që ka folur shumë për luftën, por ne ende nuk kemi as spital ushtarak”, tha Krasniqi.
Duke folur për prioritetet strategjike të vendit në fushën e mbrojtjes, ai theksoi se Kosova duhet të intensifikojë përpjekjet për anëtarësim në NATO.
“Në fushën e mbrojtjes duhet të bëhen përpjekje maksimale për anëtarësimin e Kosovës në NATO. Situata e sigurisë është në një gjendje të mjerueshme”, u shpreh Krasniqi.
Sipas tij, programi i AAK-së parasheh investime më të mëdha në siguri dhe mbrojtje, si dhe forcimin e kapaciteteve institucionale për t’u përballur me sfidat e sigurisë dhe për të avancuar integrimin euroatlantik të Kosovës.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?