Veprimi i vetëm, zgjidhi flokët

Veprimi i vetëm, zgjidhi flokët

“Arrest në burg” ishte masa e sigurisë që gjykata e Korçës vendosi ndaj vrasësit gjakfrohtë Z.T nga Pocesta e Korçës.

42-vjeçari vrau në mënyrë makabre bashkëfshatarin e tij D. O 50 vjeç tre ditë më parë në një zonë mjaft të populluar pranë pazarit të qytetit.

I gjithë konflikti mes dy personave lidhej me një vend varri në fshat, për të cilin autori i krimit i kishte kërkuar viktimës ta zhvendoste.

Në ambjetet e gjykatës sot Z.T është shfaqur i heshtur pa folur fare edhe në momentin që gjykatësi Arben Lera i ka kërkuar të flasë rreth krimit dhe akuzave të ngritura ndaj tij, ai ka heshtur.

I vetmi veprim që ai ka bërë në sallën e gjyqit është zgjidhja e flokëve dhe asgjë tjetër. Ndërkohë që avokati i tij ka kërkuar ekzaminim mjekësor të tij edhe pse vrasësi është i kartelizuar me probleme mendore dhe trajtohej me pagesë invaliditeti.

Askush nga familjarët e tij nuk ka qenë në sallën e gjyqit, ashtu siç kanë munguar edhe familjarët e viktimës D.O.

Pas akuzave të ngritura nga prokuroria që u pasqyruan nga prokurorja Ola Visi, trupi gjykues vendosi “arrestin në burg” ndaj 42 vjeçarit i cili edhe në momentin e komunikimit të masës nuk ka bërë asnjë veprim përveçse qëndronte me kokën ulur dhe sytë në tokë./oranews