Avdyli: Kosova të përgatitet ushtarakisht për t’ia dhënë Serbisë goditjen edhe më të madhe se në vitin 1999

Deputeti i Listës Guxo, Haxhi Avdyli ka thënë se kërcënimi i Serbisë për kthimin e një mijë ushtarëve në Kosovë, është thirrje e pastër për luftë dhe pushtim të Kosovës.
“Kjo do të thotë djegie, shkatërrim dhe një kërcënim për gjenocid të ri. Të gjitha veprimet destabilizuese me barrikada, përmes një grushti kriminelesh ne veri dhe ndjellje të frikës e defetizmit përmes argatëve shqiptar ne jug, kanë qëllimin e njëjtë që me shekuj kanë pasur – zhdukjen e shqiptarëve nga trojet e tyre”, ka thënë Avdyli.
Avdyli tutje ka thënë se është shqetësuese që edhe te gjeneratat e reja në Serbi po përcillet retorika luftënxitëse.
“Zatën etja e tyre për gjak, po përcillet edhe ne gjeneratat e reja. Këtë e dëshmon edhe kënga që tregon mendjen e morbide të këtij kombi të mjerë – UBIJ ZAKOLJI DA SIPTAR NE POSTOJI”, ka shkruar Avdyli në Facebook.
Ai ka thënë se Kosova duhet të përgatitet ushtarakisht për t’ia dhënë Serbisë goditjen edhe më të madhe se në vitin 1999.
“Prandaj Kosova sot s’duhet të lekundet asnjë milimetër, por edhe duhet të përgatitet ushtarakisht për t’ia dhënë Serbisë goditjen edhe më të madhe se në vitin 1999”, ka shkruar Avdyli.
Për të tretën ditë me radhë veriu i Kosovës vazhdon të jetë i bllokuar nga qytetarë serbë, që kanë ndaluar plotësisht qarkullimin nga Zveçani në Mitrovicën e Veriut. Barrikadat janë vendosur kryesisht me kamionë dhe autobusë. Vendkalimet Jarinjë dhe Bërnjak në veri të Kosovës janë ende të mbyllura për qarkullimin e makinave dhe të qytetarëve. Gjendja aktualisht paraqitet e qetë, por me tensione. /21Media

Back to top button