Babadimri bën një vizitë befasuese në një spital për fëmijë

 
Një babadimër bashkë me shoqërues të tij, në mesin e tyre persona të veshur me kostume kafshësh, u mblodhën pranë spitalit të fëmijëve Aberdeen në Skoci, për një qëllim shumë të rëndësishëm. Ata shkuan atje për t’i gëzuar fëmijët dhe për tu krijuar atmosferën festive të kremtave të fundvitit. Për shkak të kufizimeve nga pandemia e COVID-19, atyre nuk iu lejua të hyjnë në ndërtesë, por babadimri shfrytëzoi këtë mënyrë për t’i përshëndetur fëmijët.
Ai u ngrit nëpër katet e ndërtesës me anë të një vinçi dhe i përshëndeti vetëm përmes xhamave.
Këtë vizitë e organizoi shoqata bamirëse për fëmijë “Archie Foundation”, e cila për të realizuar qëllimin e tyre bashkëpunoi me shërbimin e zjarrfikësve.
Fondacioni “Archie Foundation” me këtë rast në një deklaratë thanë se në spitalin e fëmijëve Aberdeen patën një vizitor të mrekullueshëm.
Ata thanë se babadimri arriti tek fëmijët në mënyrë jo të zakonshme, por kjo ndodhi për shkak të COVID-19.
“Nuk mund të përshkruajmë me fjalë se sa emocionuese ishte kjo ngjarje për fëmijët”, thanë ata.
Fondacioni “Archie” bashkëpunon me spitalin e fëmijëve Aberdeen dhe disa të tjerë. Ata shpresojnë që me vizita si kjo t’ua bëjnë fëmijëve atmosferën më të veçantë, në veçanti atyre që këtë fundvit do ta kalojnë në spitale./21Media

Back to top button