Babai nga Kosova gjen vajzat që i humbën pas reshjeve në Gjermani

Mediat gjermane kanë njoftuar për ribashkimin e një familjeje shqiptare që u nda gjatë përmbytjes në Gjermani.
Shefik Hyseni, 46 vjeç, arriti të përqafojë vajzat e tij, Lauretën dhe Altunën, të cilat i kishin shpëtuar me helikopter.
Bild raporton se Hyseni nuk e dinte me orë të tëra nëse i kishte humbur vajzat e tij në përmbytjet! Babai pati frikë për jetën e Lauretës 13 vjeçare dhe të Altunës 17 vjeçare. A kishin qenë në gjendje të dilnin të sigurta në kohë?
“Të mërkurën në mbrëmje vajzat e mia më telefonuan dhe më thanë se uji kishte hyrë tashmë në katin e parë!” tha 46-vjeçari që vrapoi menjëherë në shtëpi.
Por kur ai arriti nuk kalonte dot më – uji ishte kudo!
Krejt i dëshpëruar, punëtori priti tërë natën në një urë nga e cila mund të shihte shtëpinë e tij. Por dje në orën 5.30 pasdite i erdhi lajmi që e lumturoi si kurrë: Fëmijët e tij ishin shpëtuar nga shtëpia e përmbytur me helikopter.
Portali rtv21.tv ka provuar të kontaktojë me Ambasadën e Kosovës në Gjermani, mirëpo të njëjtit nuk janë lajmëruar thirrjeve telefonike dhe as mesazheve në postën elektronike./21Media

Back to top button