Babë e bijë në një ekspozitë
Sot në orën 18:00 në Qendrën e Kulturës “Ukë Bytyçi” në Suharekë hapet ekspozita “Gursel dhe Pranvera Sylejmani”, një ngjarje që premton të jetë një ndër momentet më të veçanta të Festarit 2024.
Ekspozita përfshin punimet e veçanta të dy artistëve – babë e bijë – Gursel dhe Pranvera Sylejmani, të cilët përmes artit të tyre shprehin një histori të thellë trashëgimie dhe dashurie familjare.
Gursel Sylejmani, dëshmor i kombit, përmes artit të tij përçon një ndjenjë të fuqishme të vuajtjes, shpresës dhe dashurisë për jetën. Një element prekës i kësaj ekspozite është një letër që Gurseli i ri i kishte dërguar të dashurës së tij nga burgu, një dokument historik që dëshmon për forcën dhe shpirtin e tij të pathyeshëm.
Kjo letër reflekton dimensionet e tij si një intelektual dhe artist, që do të jetë për publikun një përvojë e rrallë dhe e thellë emocionale. Krahas veprave të babait të saj, do të jenë ato të Pranvera Sylejmanit, e njohur për stilin e saj të veçantë dhe qasjen ndaj temave që ndërlidhen me kulturën dhe traditat shqiptare, që sjell një koleksion që përfaqëson figura të rëndësishme të historisë dhe jetës shqiptare.
Punimet e saj janë një reflektim i fortë i trashëgimisë kulturore, duke përçuar emocione të thella përmes ngjyrave dhe formave të guximshme. Ekspozita jo vetëm që vë në pah veprat artistike, por edhe lidhjet e fuqishme familjare, duke ndërthurur artin me një rrëfim të gjallë të trashëgimisë dhe emocioneve.
Pjesë e inaugurimit të Shtëpisë së Kulturës në Therandë, kjo ekspozitë do të jetë një përvojë unike që fton publikun të eksplorojë artin përmes syve të një familjeje që ka jetuar dhe krijuar në kohëra sfiduese. Eskpozita vjen nën organizimin e Refki Gallopenit dhe me kurator Skënder Boshtrakaj.