Bajrami: Asnjë maturant nuk do të mbetet pa shkollim të lartë

Sipas Arsim Bajramit të gjithë maturantët do të përfshihen në shkollimin e lartë

Mbi 30 mijë maturantë të të gjitha shkollave të mesme të Republikës së Kosovës, i janë nënshtruar të mërkurën testit të maturës. Me këtë rast ai tha se Ministria e Arsimit ka marrë të gjitha masat që asnjë maturant të mos mbetet pa shkollim të lartë.

Ministri me bashkëpunëtorët ka vizituar disa klasë, ku nga nxënësit është informuar se janë të kënaqur me mbarëvajtjen e procesit dhe nga të cilët, po ashtu ka marrë pohimin se pyetjet e testit janë të qarta dhe se nuk po ballafaqohen me ndonjë vështirësi. Ai tha se Ministria e Arsimit ka marrë të gjitha masat që asnjë maturant të mos mbesë pa vazhduar shkollimin e lartë ndërsa tha se këtë vit nxënësit po refuzojnë keqbërësit në mënyrë që rezultatet të jenë sa më reale.

Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Arbërie Nagavci, tha se dita e provimit të maturës është e rëndësishme jo vetëm për maturantët por edhe për mësimdhënësit që sipas saj, me rastin e këtij testimi edhe ata vlerësohen për të arriturat e tyre në mësimdhënie.

Më tej, ajo theksoi se është shumë e kënaqur pasi që siç tha ajo, për katër vite radhazi në Komunën e Prishtinës ka pasur përmirësim të rezultatit në të gjitha nivelet, ndërsa u shpreh se edhe këtë vit pret që nxënësit të dalin të sukseshëm në testin e maturës.  Maturantët vlerësohen në bazë të përgjigjeve që ata rrethojnë në testin e maturës, ndërsa rreth pyetjeve që testet përmbajnë, më së miri mund të na flasin vet ata.

Provimi është mbajtur në 200 qendra testimi në gjithë vendin, ndërsa për mbarëvajtjen e këtij procesi janë të angazhuar rreth 2100 administrues dhe rreth 600 komisionerë. Pjesa e dytë e testit të maturës do të mbahet pas dy javësh.

Back to top button