Bajrami kërkon që qeveria të deklarohet se a do ta lejojë rritjen e çmimit të energjisë

Hykmete Bajrami nga LDK ka reaguar pas raportimeve se kompanitë e sektorit të energjisë kanë kërkuar një rritje tjetër të çmimit prej rreth 35%.
Ajo ka kritikuar Qeverinë për siç ka thënë zero investime në kapacitete gjeneruese që nga viti 2021.
“Asnjë projekt i ri për prodhimin e energjisë,
Asnjë investim në kapacitetet ekzistuese,
Asnjë strategji për uljen e varësisë nga importi,
Për 4 vite, qeveria ka lënë vendin në mëshirën e çmimeve të importit, ndërkohë që qytetarët paguajnë fatura gjithnjë e më të larta. Si është e mundur që paguajmë gjithnjë më shumë, por nuk kemi asnjë MËh shtesë të prodhuar në katër vitet e fundit?”, ka shkruar Bajrami.
Më tej ajo ka kërkuar nga Qeveria që të deklarohet rreth kësaj çështje.
“Qeveria në detyrë e ka për obligim të deklarohet nëse do të lejojë të ketë edhe rritje tjetër të çmimit të energjisë nga 1 prill, apo do të marrë masa për ta parandaluar?
Ata duhet ta dinë se edhe dhe një rritje tjetër e faturave të energjisë do të jetë e papërballueshme për pjesën dërrmuese të qytetarëve – nuk munden qytetarët në vazhdimësi të paguajnë më shumë për shkak të keqmenaxhimit dhe paaftësisë së qeverisë.
Mjaft më me rritje çmimesh, mjaft më me justifikime!
Qytetarët ende po bartin barrën e inflacionit mbi 50% të produkteve të konsumit bazë. Energjia nuk është lluks është domosdoshmëri për secilën familje.”, ka shkruar Bajrami./21Media