Bajrami: Për deputetin Kurti, ligji është i drejtë veç kur i shërben interesave të tij personale

Deputetja e LDK-së dhe shefja e GP të kësaj partie në Kuvend, Hykmete Bajrami, ka reaguar për paraqitjen e sotme të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, në Gjykatë, në rastin e kanosjes ndaj tij, ku i dyshuar për rastin është Faton Klinaku.
Bajrami ka shkruar se për Kurtin ligji është i drejtë vetëm kur i shërben interesave të tij personale, teksa i ka rikujtuar refuzimin që ai i ka bërë Prokurorisë Speciale pas ftesës për të dëshmuar në rastin e rezervave shtetërore.
“Kur Gjykata Kushtetuese, gjykatat e rregullta ose Prokuroria vendosin në favor të Kurtit dhe Vetëvendosjes, ato menjëherë lavdërohen si mbrojtëse të ligjshmërisë dhe rendit në Republikë. Kur po të njëjtat institucione nxjerrin vendime që cenojnë interesat e Kurtit dhe VV-së, menjëherë shpallen të korruptuara, të politizuara dhe të manipuluara, madje edhe si vegla të Serbisë. Prokuroria konsiderohet e pavarur dhe e drejtë vetëm kur merret me rastin “Pronto”, ndërsa kur trajton aferën “Zdravo” të dyshes Kusari-Radojiçiq, diskreditimi është i menjëhershëm.Sot, deputeti Kurti u shfaq në gjykatë si viktimë, në një rast të kanosjes. Veç paramendoni makinerinë e Kurtit dhe VV-së dhe sa kërcënime e kanosje u kanë bërë të tjerëve! Deputeti Kurti po tregon qartë se ligji është i drejtë vetëm kur i shërben interesave të tij personale. Ai, që mban jashtëligjshëm pozitën e Kryeministrit në detyrë, e sheh drejtësinë si tavolinë suedeze: merr çka i duhet dhe refuzon çka nuk i pëlqen. I njëjti person refuzon, përçmon dhe injoron thirrjet e Prokurorisë për të dhënë dëshmi si dëshmitar në Prokurorinë Speciale për dallaveret me rezervat shtetërore. Sot kemi probleme të mëdha socio-ekonomike, por dëmi më i madh vjen nga denigrimi i institucioneve të drejtësisë. Ata që i dëmtojnë këto institucione duhet të ndëshkohen me votë”, ka shkruar Bajrami në Facebook.