Bajrami për mospjesmarrjen e Aliut në Komision: Punë ka pak, por hajni shumë
Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami ka reaguar ndaj mospjesmarrjes së Ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu në Komisionin për Mbikqyrje të Financave Publike.
Sipas Bajramit, mospjesmarrja e Aliut ka pamundësuar shqyrtimin e raportit të performancës ”Prokurimet e negociuara pa publikim të njoftimit për kontratë në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në vitin 2021”, i cili mbetet të shqyrtohet më 27 shkurt.
“Kontratat me negocim të drejtpërdrejtë janë korrupcion, gabim është kriju narracioni se “s’po punojnë amo s’po vjedhin”, e vërteta e hidhur është se “punë ka pak, por hajni shumë”, ka shkruar Bajrami në “Facebook”.
Ndërsa, ka shtuar se ky raport vë në pah korrupcionin endemik që po ndodhë në këtë ministri.
“Vetëm në 13 kontrata të negociuara të kësaj ministrie që ka audituar Zyra Kombëtare e Auditimit, shuma e ankes kontratave kalon 4 milionë euro, e çka është më e keqja këtu asnjëri prej projekteve nuk përfundon me një ankes kontratë, por bëhet një kontratë njëburimore/aneks dhe mandej pas saj nevojitet një prokurim i ri për përfundim të projektit”, ka thënë Bajrami.
Tutje, ajo ka shtuar se ky është korrupcion dhe kushdo që mundohet ta cilësoj ndryshe është i korruptuar ose potencialisht i korruptushëm.
“ Kushdo që dëshiron të di se sa ka dëgraduar gjendja në prokurimin publik me këtë Qeveri mjafton të shoh raportin e fundit për vendin të Komisionit Evropian, faqe 71-72 ku thuhet që për një vit janë shpenzuar mbi 78 milionë euro pa publikim të kontratës, dmth. mbi 78 milionë euro dostave, sepse nëse nuk hapë tender atëherë ti punon me ata që i njehë apo jo?! “, përfundon Bajrami.