Bajrami: Tatimin në pronë s’e kanë rritur komunat, por Ministria e Financave

Deputetja e LDK, Hykmete Bajrami, ka vlerësuar se zgjidhjen për faturat e larta të tatimit në pronë duhet ta bëjë Ministria e Financave.
Ajo ka thënë komunat nuk janë ato që i kanë rritur çmimet e tatimit. Sipas saj përgjegjëse për këtë është Ministria dhe se ajo duhet të ofrojë zgjidhje për këtë.
“Zgjidhjen duhet ta ofrojë Ministria e Financave Punës dhe Transfereve: 1. Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve me një vendim të pezullojë rivlerësimin e fundit të patundshmërive në vendin tonë, sepse është bërë në kushte të një inflacioni enrom dhe 2. Të procedojë sa me parë në Kuvend Ligjin e ri për tatim në pronë, i cili është draftuar nga grupi punues që nga tetori 2022, me të cilin duhet të largohet pragu i poshtëm 0.15% dhe të mbetet vetëm pragu i lartë, në mënyrë që të ju lejohet komunave të bëjnë përshtatjen e normave të tatimit sipas rrethanave”, ka shkruar Bajrami në “Facebook”.
Sipas saj qytetarët nuk mund të përballojnë tatime më të larta.
“Në kohën e krizës ekonomike e sociale nëpër të cilën po kalon vendi, qytetarëve u janë rritë vetëm çmimet, nuk ka rritje të pagave, nuk ka rritje të pensioneve, nuk ka rritje e të të hyrave – janë rritë vetëm çmimet”, ka shkruar Bajrami.
Ajo ka shkruar edhe për mënyrën e llogaritjes së tatimit në pronë. “Mënyra e llogaritjes së tatimit në pronë është paracaktuar sipas Ligjit Nr 06/L-005 për Tatim në Pronë dhe qytetarët duhet ta dinë se komunat në kohën kur po flasim nuk e kanë bërë asnjë veprim për rritjen e tatimit në pronë, por është Ministria e Financave Punës dhe Transfereve e cila sipas Ligjit Nr 06/L-005 për tatimit në pronë, nenit 18 e ka për obligim që t’i bëj vlerësimet e pronave çdo 3 vjet, vlerësim të cilin së fundi e ka bërë në kushte të këtij inflacioni marramendës dhe ky vlerësim i fundit ka shpjerë deri të fryrja enrome e faturave të tatimit në pronë e cila me të drejtë ka nxitur reagim qytetarë”, ka shkruar Bajrami.
Sipas saj komunat i kanë normat e njëjta të tatimit sikurse edhe vitin e kaluar, të cilin ajo ka thënë se e përcaktojnë në bazë të Ligjit Nr 06/L-005 për Tatimit në Pronë. “Neni 9 i këtij ligji, ju jep të drejtë komunave caktojnë normat e tatimit në pronë mes minimumit dhe maksimumit, që është 0,15% deri 1%. Çka do të thotë se kjo edhe nëse komuna e ka normën minimale që është 0.15% por Ministria e ka vlerësuar dyfish vlerën e pronës suaj, prapë tatimi është dyfishuar”, ka shkruar Bajrami.
Komuna e Prishtinës ka dalë me një njoftim pas reagimit për rritjen e çmimit të faturës në pronë./21Media

Back to top button