Bajrami thotë se menjëherë duhet të nisë kthimi i 2.1 milionë eurove

Ish-ministrja e Financave, njëherësh deputete e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka reaguar pasi i dyshuari për vjedhjen në Thesarin e Shtetit sot e pranoi fajësinë.
Ajo ka thënë se sot është ditë e madhe për drejtësinë.
“E denoncova, dikush e pa si faj, e pranoj këtë faj. Kam pranuar me qindra mesazhe përkrahëse që kam DENONCUAR vjedhjen e 2.1 milionë eurove. Dhjetëra e qindra reagime nëpër rrjete sociale e kërcënime pse kam denoncuar. Sot, kur i akuzuari kryesor e PRANOI fajin, po e pranoj edhe unë një faj. Fajin se e kam DENONCUAR. Dje, sot, nesër dhe përgjithmonë do të bëj të njëjtin faj. Prapë, do të DENONCOJ secilin krim e secilën vjedhje që ndodh. Nuk jam dorëzuar dhe nuk dorëzohem as nga ata që kanë tentuar të më ndalin të flasë e denoncoj paligjshmëri e shkelje ligjore tjera”, ka shkruar ajo në Facebook.
Tutje, Bajrami ka theksuar se menjëherë duhet të nisë kthimi i parave në buxhetin e Kosovës dhe se drejtësia duhet ta kryejë detyrën deri në fund pasi i akuzuari ka pranuar fajin dhe ka hapur rrugën për sqarimin e 2.1 milionë eurove deri në fund.
I akuzuari Labinot Gruda pranoi fajësinë sot lidhur me akuzat se e dëmtoi buxhetin e Kosovës në seancën e mbajtur të premten, në Gjykatën Themelore në Prishtinë./21Media

Back to top button