Balla publikon videon: Lulzim Basha i dha vezët për të qëlluar Edi Ramën
Video është publikuar edhe nga kreu i grupit parlamentar të PS-së
Partia Socialiste ka publikuar një video ku pretendon se kreu i PD, Lulzim Basha i ka dhënë deputetit, Endri Hasës vezën, me të cilën ky i fundit qëlloi kryeministrin Edi Ramën.
Në video duket momenti, kur deputeti Hasa i afrohet kreut të PD, Lulzim Bashës. Ata diskutojnë, por në një moment, Hasa ulet, për të marrë dy vezë, siç pretendon PS.
Video është publikuar edhe nga kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, i cili, me ironi shprehet se Bashës iu deshën 6 muaj për të prodhuar dy vezë.
“Artist! Po ti qenke edhe regjisor, edhe skenarist. U deshën 6 muaj që “pula” Lulzim të prodhonte 2 vezë. E turpshme si një kryetar opozite degradon deri në pikën që të fshehë nën puplat e shtrenjta të xhupit të tij. Shikoni videon sesi Artisti Lulzim bën qesharak rikthimin e opozitës në Kuvend. Është Lulzim Basha që “prodhon” vezët dhe ia jep deputetit pa emër”, ka shkruar Balla në facebook, raporton Oranews.