Bashkëpunimi Kosovë-Kanada, reflektim i besimit në aleancën transatlantike
Presidentja Vjosa Osmani, sot ka pritur në takim ambasadorin jorezident të Kanadasë në Kosovë, Alan Bowman. Osmani ka shprehur mirënjohje për mbështetjen kanadeze për Kosovën që nga viti 1999 dhe ka mirëpritur mundësitë për thellim të bashkëpunimit ndërshtetëror, në veçanti pas takimeve me udhëheqjen e Kanadasë muajin e kaluar.
Siç ka informuar Presidenca, Osmani e ka theksuar se mbështetja e Kanadasë për njohje të reja dhe anëtarësime në organizata ndërkombëtare është tregues i angazhimit më të madh të Kanadasë për sigurinë dhe paqen e rajonit.
“Ajo ka shprehur gatishmërinë për të intensifikuar raportet e Kosovës me Kanadanë gjatë viteve vijuese në fushën e diplomacisë, shkëmbimeve tregtare dhe bashkëpunimit në çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes.”, është bërë e ditur në komunikatë.
Presidentja ka nënvizuar se bashkëpunimi Kosovë-Kanada është reflektim i vlerave të përbashkëta dhe besimit në aleancën transatlantike.
Ndërsa, Ambasadori Bowman i ka shprehur Presidentes Osmani falënderimin e Kanadasë për ndihmën që Kosova ka dhënë në strehimin e refugjatëve afganë.
Në këtë drejtim, Presidentja Osmani ka shprehur se qytetarët e Kosovës, nga përvoja e tyre si refugjatë gjatë luftës së fundit, e çmojnë rëndësinë e strehimit të sigurt dhe se institucionet e Kosovës do të jenë përkrah aleateve të saj të NATO-s në ballafaqimin e sfidave të tilla humanitare./21Media