Bashkëpunimi ushtarak Kosovë-Britani e Madhe, Maqedonci takon ambasadorin Hargreaves

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka pritur sot në takim ambasadorin e ri të Britanisë së Madhe në Prishtinë, Jonathan Hargreaves, me të cilin ka diskutuar për operacionin e Interflexit dhe bashkëpunimin ushtarak ndërmjet dy vendeve.

Maqedonci ka falënderuar ambasadorin britanik për mbështetjen e vazhdueshme që Britania e Madhe ka dhënë për Kosovën në të gjitha etapat e shtet-ndërtimit.

“Në takim me ambasadorin Hargreaves diskutuam për operacionin e Interflexit dhe bashkëpunimin e deritanishëm ushtarak ndërmjet Kosovës dhe Britanisë së Madhe që në aspektin strategjik ka rol unik për stabilitetin, sigurinë dhe perspektivën euro-atlantike të vendit dhe gjithë rajonit. U dakorduam që marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale të vazhdojnë të zhvillohen edhe më tutje”, ka shkruar ministri Maqedonci në Facebook.

Ndryshe, operacioni Interflex zhvillohet në Britaninë e Madhe dhe ka për qëllim stërvitjen e trupave të ushtrisë ukrainase. Ministria e Mbrojtjes dhe FSK-ja kanë ofruar gatishmëri për angazhimin e instruktorëve për të ndihmuar në procesin stërvitor të Ushtrisë së Ukrainës në kuadër të këtij operacioni.

Back to top button