“Bashkimi i Qytetit”, projekt i rëndësishëm për Ferizajn
Prezantohet projekti “Bashkimi i Qytetit”
Drejtori i Infrastrukturës për Komunën e Ferizajt, Arbër Bytyqi, ka thënë se projekti “Bashkimi i Qytetit” është në fazën e fundit të tenderimit.
Sipas tij, ky projekt përfshin nënkalimin për vetura nga rruga ‘Vëllezërit Gërvalla’, deri tek rruga”Madeleine Albright’.
Ndër tjerash, ky projekt parasheh edhe vazhdimin e nënkalimit ekzistues nga rruga afër postës, deri në rrugën “Emin Duraku”.
Bytyqi e cilëson këtë projekt të veçantë, që do ta mundësoj transformimin urban të qytetit.
“Ky projekt është i një rëndësie tepër të veçantë pasi që do të bëj transformimin urban të qytetit të Ferizajt, do të mundësoj lëvizjen e lirë dhe më të shpejtë të veturave në qytetin e Ferizajt dhe do të ngrit sigurinë e lëvizjes së këmbësorëve në qendër të Ferizajt”, ka thënë drejtori Bytyqi.
Arsim Murseli nga kompania “Infraplus”, njëherit kryetar i Këshillit Konsultativ Profesional të fushës së urbanizmit, këtë projekt e ka quajtur tepër ambicioz për qytetin e Ferizajt, me vet faktin se do të realizohet një projekt tejet madhor për qytetin tonë.
Prezantimin e projektit e ka bërë edhe përfaqësuesi tjetër i kësaj kompanie Selim Hyseni.
Shpallja e këtij tenderi do të bëhet me datë 20 korrik, ndërsa ka një kosto prej 6 milionë euro dhe është projekt 2 vjeçar.