BB financon projektin 25 milionësh në Kosovë

 

Bordi i Drejtorëve të Bankës Botërore në Washington D.C. ka aprovuar Programin Zhvillimi dhe shfrytëzimi i mundësive për sigurinë e ujit në Kosovë, i cili synon të forcojë kapacitetin e Kosovës për menaxhimin e sigurisë së ujit në nivelin kombëtar dhe të përmirësojë sigurinë e ujit në basenin e Moravës së Binçës, që është rajoni më i thatë në Kosovë.

Mbështetja e miratuar financiare për projektin është 25.1 milionë euro ose 27.4 milionë dollarë.

“Banka Botërore po e mbështet Kosovën për të adresuar krizën e ujit në nivelin kombëtar dhe specifikisht mungesën e ujit në zonën e basenit të Moravës. Përveç përfitimeve të rëndësishme të zhvillimit nga përmirësimi i furnizimit dhe forcimi i menaxhimit të resurseve ujore në Kosovë, disponueshmëria e ujit dhe e masave sanitare janë barrierë esenciale ndaj përhapjes së viruseve dhe për mbrojtjen e shëndetit njerëzor nga COVID-19 dhe sëmundje të ngjashme”, tha Marco Mantovanelli, Menaxher i Bankës Botërore për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut. “Larja e duarve në basenin e Moravës nuk guxon të merret si e mirëqenë meqë vitin e kaluar atje kishte mbi 200 ditë me furnizim jo të rregullt me ujë.”

Projekti i aprovuar do të shtrojë edhe themelin për zhvillimin dhe menaxhimin strategjik të depozitimit të ujit në të ardhmen, përmirësimin e njohurive rreth ujërave në vend për t’u ballafaquar me thatësira, përmbytje dhe për të përmirësuar shërbimet, si dhe përmirësimin e menaxhimit të sigurisë së digave për komunitetet në rrjedhën e poshtme. Projekti do të investojë në mënyrë të konsiderueshme në lartësimin e nivelit të shërbimeve të furnizimit me ujë në zonën e menaxhuar nga ndërmarrja e ujësjellësit Hidromorava. Ai gjithashtu do të financojë studimet teknike, sociale dhe mjedisore për të lejuar një vlerësim të detajuar të një investimi përcjellës potencial për zgjerimin e kapaciteteve për depozitimin e ujërave të sistemit hidrik ‘Kikë-Kremenata’ në juglindje të Kosovës. Përveç kësaj, projekti ka gjithashtu nën-komponentë që mbështesin rimëkëmbjen ekonomike përmes granteve për komunitetin, dhe krijimin e vendeve të punës gjatë implementimit.

Të gjithë qytetarët e Kosovës, dhe veçanërisht fermerët, do të përfitojnë nga shërbimet e përparuara hidrometeorologjike, mbrojtja e pellgjeve ujëmbledhëse, masat agro-mjedisore dhe mundësitë ekonomike që do të rezultojnë. Të gjitha komunitetet në rrjedhën e poshtme të digave në Kosovë do të përfitojnë nga rritja e vëmendjes ndaj mirëmbajtjes dhe sigurisë së digave, risku i reduktuar nga përmbytjet dhe gatishmëria më e mirë emergjente. Do të reduktohen risqet nga thatësira duke e bërë të mundur përdorimin e kapacitetit të depozitave të pashfrytëzuara aktualisht të ujit. Përmes qasjes në shërbimet e përmirësuara të ujit, nga projekti do të përfitojnë drejtpërdrejt rreth 190,000 qytetarë që banojnë në basenin e Moravës së Binçës, në juglindje të Kosovës.

Projekti FLOwS financohet me kredi nga Shoqata Ndërkombëtare për Zhvillim (IDA) e Grupit të Bankës Botërore. Kreditë e IDA-s jepen me kushte koncesionare me interes zero ose shumë të ulët dhe periudha të gjata të kthimit. Financimi i këtij projekti ka afat maturimi prej 25 vjet dhe grejs periudhë 5-vjeçare. Projekti do të implementohet nga Qeveria e Kosoves gjatë një periudhe prej 5.5 vjet./kp

Back to top button