BE-ja për akuzat e VV-së ndaj PDK-së për masat: Nuk mund të flasim në emër të PDK-së
Bashkimi Evropian nuk ka mohuar as pohuar akuzat e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje e cila javën që shkoi tha se dy zyrtarë të lartë të PDK-së i kanë kërkuar dy përfaqësuesve të BE-së të mos ia heqin masat Kosovës.
Në pyetjen e RTV21 nëse ka pasur ndonjë zyrtarë opozitar, konkretisht të PDK-së që i kanë kërkuar përfaqësuesve të BE-së mos heqjen e masave, sic po pretendon pushteti, BE-ja nuk ktheu përgjigje konkrete por vetëm tha se nuk mund të flasin në emër të PDK-së.
“Ne nuk jemi në pozitë të flasim në emër të Partisë Demokratike të Kosovës. Kur bëhet fjalë për BE-në, gjithçka që kemi për të thënë për heqjen e masave u tha nga Peter Stano gjatë konferencës për shtyp të së premtes në mesditë”, tha për RTV21 një zëdhënës i Komisionit Evropian.
Kryetarja e Komisionit parlamentar të Punëve të Jashtme, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëreshë Kryeziu gjatë javës që shkoi akuzoi dy zyrtarë të lartë të PDK-së se gjatë një takimi me dy përfaqësues të BE-së kanë kërkuar që mos t’i tërhiqen masat Kosovës sepse, siç tha, nëse ndodh një gjë tillë do të ndikonte pozitivisht në procesin zgjedhor në favor të Lëvizjes Vetëvendosje.
Ajo për RTV 21 kishte thënë se informacione për një kërkesë të tillë i kanë marrë nga kontaktet që kanë me përfaqësusesit e BE-së.
“Unë e di se së fundi dy zyrtarë të një subjekti politik, të PDK-së në këtë rast kanë pasur një takim me dy përfaqësues të Bashkimit Evropian prej të cilëve kanë kërkuar që të mos të tërhiqen Kosovës masat se në rast se kjo bëhet atëherë do të ndikonë pozitivisht në procesin zgjedhor të Lëvizjes Vetëvendosje dhe unë mendoj se kjo është opozita në Kosovës, është ajo e cila kërkon që të mos t’i tërhiqen masat dhe është ajo që nuk i gëzohet tërheqjes së masave të cilat padrejtësisht janë bërë ndaj Republikës së Kosovës. Nuk e kanë bërë publik takimin që e kanë pasur, nuk dua t’i përmendi emrat por janë të ditur emrat e tyre dhe unë mendoj që PDK e dinë se kush janë ata persona që kanë mbajtur këtë takim. Ne e dimë kush janë, sigurisht që ne kemi kontakte të tona me përfaqësues të ndryshëm bredna për brenda Parlamentit Evropian, në BE e Institucioneve të ndryshme dhe ata na njoftojnë për atë se cfarë është duke ndodhur ose për atë se cfarë po flitet nëpër takime të ndryshme. Ne vazhdimisht marrim informacione se çfarë është thënë në takime të ndryshme në nivele të ndryshme sepse komunikojmë me njëri tjetrin dhe dorën në zemër kjo ka qenë shokuese”, ka thënë Kryeziu për RTV21.
Akuzat e deputetes së Vetëvendosjes, janë mohuar nga Partia Demokratike e Kosovës. Sekretari për Marrëdhënie Ndërkombëtare në PDK, Bernard Nikaj, emri i të cilit, siç mësoi RTV21 ishte aluduar nga deputetja Kryeziu i ka cilësuar shpifje akuzat e saj.
Në një përgjigje për RTV21, Nikaj ka thënë se se PDK-ja në të gjitha takimet me zyrtarë të BE-së ka insistuar që sanksionet e vendosura nga BE-ja duhet të hiqen sa më parë.
“Qëndrimet e PDK-së për masat e BE-së janë publike dhe të kahmotshme. Në të gjitha takimet me zyrtarë të BE-së, PDK-ja ka insistuar që sanksionet e vendosura nga BE janë të padrejta ndaj qytetarëve të Kosovës dhe që duhen larguar njëherë e më parë. Duhet rikujtuar që sanksionet e BE-së janë vendosur si pasojë e veprimeve të qeverisë dhe nuk po largohen për arsye që Qeveria e udhëhequr nga VV-ja nuk po arrin të bindë shtetet anëtare të BE-së që t’i largojnë sanksionet. Këto sanksione janë rezultat i drejtpërdrejtë i një politike të jashtme të dështuar të qeverisë së udhëhequr nga VV-ja. E tash në kohë fushate deputetë të VV-së po merren me shpifje për të arsyetuar paaftësinë e tyre për të larguar masat. Kjo është qeverisja e VV-së, një qeveri e cila dështimet e veta i kërkon tek fajësimi i opozitës e tek shpifjet e nxjerra nga koluaret e ndryshme”, ka thënë Nikaj për RTV21.
Ndërkohë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano në një konferencë për media të premten ka thënë se diskutimet për heqjen e masave në BE janë duke vazhduar. “Përgjigja është sikurse herën e fundit. Çështja është duke u shqyrtuar në Këshill dhe do të vendoset nga vendet anëtare pa marrë parasysh se kur do të nisin mandatin institucionet e reja”, kishte thënë Stano./ RTV21/21Media