BE nënshkruan marrëveshje për gaz me Izraelin dhe Egjiptin

Si pjesë e lëvizjeve të BE-së për t’i dhënë fund varësisë së saj në furnizimet me gaz nga Rusia, blloku ka nënshkruar një marrëveshje të përkohshme me Izraelin dhe Egjiptin për eksportin e gazit natyror.
Marrëveshja do të shihte një rritje të konsiderueshme në sasinë e gazit natyror izraelit të eksportuar në Egjipt, ku mund të lëngëzohet dhe më pas të dërgohet në tregjet evropiane.
Izraeli vlerësohet të ketë rezerva gazi prej të paktën një trilion metër kub. Dy rrugë për të sjellë gazin në Evropë janë aktualisht në shqyrtim – rruga e Egjiptit është një opsion, ndërsa një tubacion i parashikuar përmes Turqisë është një tjetër, transmeton rtv21.tv.
Rusia furnizon BE-në me 40% të gazit natyror që importon.
Zyrtarët e BE-së thonë se varësia e bllokut nga gazi rus i lejon Moskës të praktikojë një formë shantazhi mbi Evropën. Në mars, BE u zotua të reduktojë importet e gazit nga Rusia me dy të tretat brenda një viti.
Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen thotë “Ky është një hap i madh përpara në furnizimin me energji në Evropë, por edhe që Egjipti të bëhet një qendër rajonale e energjisë”./21Media

Back to top button