BE: Nuk kemi konfirmim për takimin Kurti-Vuçiq, por presim përgjigje pozitive

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka deklaruar se nuk mund të konfirmojë datën për takimin në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq pas ftesës që kanë marr nga Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell për një takim këtë javë.

Stano tha se shpresojnë që sa më shpejtë të konfirmohet takimi i mundshëm, edhe pse javës i kanë mbetur edhe pak ditë.

“Gjëja kryesore tani është që takimi të bëhet në Bruksel dhe për këtë nuk kam asnjë lajm. Nuk jam në gjendje të konfirmoj ende ndonjë datë, sot është e mërkurë dhe deri në fund të javës kemi edhe pak ditë, por për momentin nuk mund të konfirmoj asnjë datë ende”, theksoi Stano.

Sipas zëdhënësit të BE-së, Peter Stano nuk ka kohë për të humbur dhe duhen veprime konkrete.

“Rezultati përfundimtar për ne është se Përfaqësuesi i Lartë i ftoi të dy liderët, kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuçiq, të vijnë në Bruksel në fund të kësaj jave. Ne jemi duke pritur dhe presim dhe shpresojmë që do të mund të shpallim ditën dhe orën e atij takimi dhe pastaj të diskutojmë edhe për modalitetet. Por, kryesorja është të kemi një datë dhe të kemi një kohë të caktuar për të zhvilluar takimin sepse nuk kemi kohë për të humbur dhe tani është koha për veprim, jo për biseda dhe spekulime”, u shpreh zëdhënësi i BE-së.

Tensionet në veri të Kosovës kanë filluar më 26 maj, kur kryetarët e zgjedhur në Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq kanë shkuar në objektet komunale, të asistuar nga Policia e Kosovës. Situata ka eskaluar më datën 29 maj, ku grupet kriminale kanë sulmuar Policinë e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it, ku rreth tridhjetë prej tyre kanë mbetur të lënduar.

Ndërkaq, më 14 qershor, tre policë kufitar të Kosovës janë rrëmbyer nga forcat serbe, brenda territorit të vendit. Të premten atyre i është vendosur masa e paraburgimit prej 30 ditësh nga Gjykata e Lartë në Kralevë.

Komuniteti ndërkombëtar i ka drejtuar tri kërkesa kryeministrit Kurti, lidhur me situatën në veri: Shtensionimin e situatës në terren, mbajtjen e zgjedhjeve të reja dhe kthimin në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Ndërsa, Kurti ka paraqitur pesë pika për situatën në veri, ku fokus sipas tij duhet të jetë sundimi i ligjit në katër komunat veriore.

Back to top button