BE prezanton të gjeturat nga monitorimi i zgjedhjeve

“Zgjedhjet ishin vërtet konkurruese në pjesën më të madhe të Kosovës, por kërkohet vullnet politik për adresimin e dobësive të vjetra dhe frikësimit në rajonet e banuara me serbë të Kosovës”, vlersoi Misioni i vëzhguesve të Bashkimit Evropian.

Ata  gjatë një konference për medie sot ka paraqitur raportin preliminar me të gjeturat nga monitorimi i zgjedhjeve të 11 qershorit.

“Zgjedhjet e parakohshme të 11 qershorit 2017 ishin vërtet konkurruese dhe të qeta në pjesën më të madhe të Kosovës, dhe votuesve përgjithësisht ju ofruan informacione pluraliste për opsionet e ndryshme politike. Megjithatë, procesi zgjedhor u ndikua negativisht nga dobësitë e vjetra, veçanërisht: nga listat e pasakta të votuesve që janë të cenueshme ndaj mashtrimeve, një sistem zgjedhor që lë mundësi për abuzim, dhe sistem me shumë të meta për votim jashtë Kosovës. Këto çështje do të kërkojnë vullnet dhe përkushtim politik për të bërë reformat e nevojshme” thuhet në reagimin e tyre.

Në zonat me shumicë serbe, procesi zgjedhor u dëmtua nga frikësimi dhe rastet e dhunës brenda komunitetit serb të Kosovës kundër kandidatëve dhe votuesve, si dhe nga reagimi i pamjaftueshëm nga prokuroria dhe policia. “Kjo ngrit pyetjet rreth besueshmërisë së procesit demokratik në këto zona” thuhet me tej.

Dita e zgjedhjeve sipas tyre, ishte e qetë dhe nuk u vërejt asnjë incident i theksuar nga EU EOM, përfshirë edhe veriun e Kosovës. “Votimi në përgjithësi u vlerësua pozitivisht; megjithatë vëzhguesit vërejtën raste të shpeshta të votimit familjar, raste të ndihmës abuzive të votuesve, dhe pranisë së tepërt të vëzhguesve nga dy subjekte politike duke e shkelur ligjin. Procedurat e numërimit të votave nuk u përfillën gjithmonë, duke nënvizuar nevojën për trajnim më të mirë të stafit zgjedhor. Prania e madhe e grupit të vëzhguesve vendorë të Demokracisë në Veprim i kontribuoi transparencës dhe integritetit të zgjedhjeve” thuhet në reagim.

Sipas raportit të vëzhguesve të BE-së, edhe në komunat veriore shkoi mirë, por kishte udhëzime të paqarta nga KQZ-ja nëse duhet të pranohen dokumentet e identifikimit të Serbisë si dokumente të vlefshme identifikimi për votim në katër komunat veriore.

Procesi i votimit jashtë Kosovës (VJK) u ndikua në mënyrë të veçantë nga periudha e shkurtuar kohore. Popullsia që jeton jashtë vendit vlerësohet të jetë afër 500,000. KQZ-ja ka pranuar 20,354 aplikacione, 15,118 prej të cilave u regjistruan. Ndonëse ata që banojnë jashtë vendit kanë të drejtë të votojnë, si metoda e votimit jashtë Kosovës ashtu edhe zbatimi i saj kanë dështuar të ofrojnë një sistem funksional, gjithëpërfshirës dhe i mbrotjur ndaj mashtrimeve për ushtrimin e të drejtës së tyre për të votuar.

Shefi i vëzhguesve të BE-së Alojz Peterle tha se  prania e vëzhguesve të partive politike të certifikuar nën ombrellën e një organizate jo qeveritare, është shqetësuese.

Vëzhguesit evropian theksuan se edhe numri i madh i fletvotimeve të pavlefshme është pikë shqetësuese, por do të kërkohet sqarim për këtë.

Për më shumë detaje kliko këtu.

Back to top button