​BE siguron dy miliardë euro për Ballkanin Perëndimor

Samiti i Bashkimit Evropian (BE) sot në Bruksel, ku u miratua vendimi për ndihmë 50 miliardë eurosh për Ukrainën, është i rëndësishëm edhe për asistencën për zhvillim për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Këtë e kanë thënë disa liderë të BE-së pas përfundimit të samitit, duke folur për rebalancin e kornizës shumëvjeçare financiare të BE-së për periudhën 2021-2027.

Liderët e BE-së sot miratuan vendimin unanim, duke siguruar edhe pajtimin e Hungarisë që për disa muaj e mbajti të bllokuar vendimin, për të cilin nevojitet pajtim unanim i të gjitha vendeve anëtare. Me këtë vendim ndahen gjithsej 65 miliardë euro për të plotësuar buxhetin e BE-së për katër vjetët e ardhshëm.

Nga këto, 50 miliardë euro do të jenë ndihmë makrofinanciare për Ukrainën, afër 10 miliardë për menaxhimin e migracionit ilegal dhe dy miliardë për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Këto do të përfshihen në planin e BE-së për rritje ekonomike në vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilin e kishte prezantuar më herët Komisioni Evropian, por mjetet nuk ishin siguruar deri më tash.

Tash nevojitet edhe pajtimi i Parlamentit Evropian në mënyrë që BE-ja të mund të nisë dhënien e asistencës financiarë për rritje ekonomike në Ballkanin Perëndimor.

Komisioni Evropian ka përmendur paketën e përgjithshme prej gjashtë miliardë eurosh. Por, nga to, dy miliardë do të jenë në formën e granteve, ndërsa katër miliardë do të tërhiqen në formën e kredive të favorshme për të cilat garancitë do t’i jep Bashkimi Evropian.

KE ka tërhequr vërejtjen se përdorimi i këtyre mjeteve nga vendet e rajonit do të jetë i kushtëzuar me sundimin e ligjit. Ndërsa, për Kosovën dhe Serbinë do të ketë edhe kushtëzime specifike që kanë të bëjnë me përparimin në procesin e normalizimit të raporteve mes tyre. /REL

Back to top button