Befasohet nëna e 7 fëmijëve, gjen unazën e burrit të ndjerë pas 35 vjetësh
Një grua 90-vjeçare nga Cornwall të Anglisë ka gjetur unazën e martesës së burrit të saj të ndjerë 35 vjet pasi ai e humbi atë.
Nëna e shtatë fëmijëve, Ann Kendrick tha se burri i saj Peter, i cili vdiq 22 vjet më parë, kishte humbur unazën e tij ndërsa punonte në kopshtin e tyre të pasmë në Looe në 1987.
Kendrick hasi në unazë kur po pastronte bazën e një peme molle në kopsht të shtunën, transmeton rtv21.tv.
Ajo tha se ishte e emocionuar për gjetjen e unazës dhe shtoi se burri i saj do të ishte “i befasuar sa ajo”.
Kendrick tha se e gjeti atë pasi një copë metali “doli nga toka” ndërsa ajo tërhiqte një tufë bari.
“Nuk dukej aspak si një unazë martese – dukej si një copë metali e ndotur”, tha ajo.
“E shikova dhe mendova ‘jo, nuk mund të ishte’. “Isha vërtet shumë e emocionuar”, shtoi ajo.
Kendrick tha se do ta riparojë unazën dhe do ta mbajë si gjerdan në kujtim të bashkëshortit të saj të ndjerë./21Media
