Begaj: Sulmi i Banjskës tregoi se sa e brishtë është siguria në rajonin tonë

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj në hapjen e bazës ajrore të NATO-s në Kuçovë tha se jetësimi i kësaj baze shënon një kapitull të ri në historinë e mbrojtjes dhe sigurisë në rajon.

Ai u shpreh se me këtë dëshmohet se NATO është e vendosur të mbrojë lirinë dhe sigurinë e aleatëve, siç u shpreh ai, duke garantuar mbrojtje kolektive.

“Jetësimi i bazës ajrore të Kuçovës shënon një kapitull të ri në historinë e mbrojtjes dhe sigurisë së vendit tonë e rajonit gjithashtu. Kjo bazë është rezultat i bashkëpunimit, solidaritetit, bashkërendimit dhe koordinimit midis aleatëve dhe i vëmendjes që Shqipëria i kushton sigurisë dhe mbrojtjes. Nga kjo bazë, ne së bashku dërgojmë mesazhin e fuqishëm të paqes dhe dëshmojmë se NATO është e vendosur të mbrojë lirinë dhe sigurinë e aleatëve, duke garantuar mbrojtje kolektive. Detyrimet që rrjedhin nga anëtarësimi në NATO dhe nga procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian, janë natyrshëm edhe interesat strategjike të Shqipërisë. Baza ajrore taktike e NATO-s e ngritur në Kuçovë, ku historia takohet me modernen, simbolizon një urë ku e shkuara dhe e tashmja bashkohen për të siguruar një të ardhme më të sigurtë”, u shpreh ai.

Begaj gjithashtu foli edhe për sulmin në Banjskë, duke thënë se ai sulm tregoi se sa e brishtë është siguria në rajon.

“Konfrontimet politiko-ushtarake rrezikojnë të përshkallëzohen dhe të përhapen. Kjo u pa më së miri shtatorin e kaluar në sulmin terrorist të Banjskës, në Kosovë. Ai sulm tregoi se sa e brishtë është siguria në rajonin tonë dhe dëshmoi se ka ende aktorë lokalë, të cilët mundohen ta projektojnë të ardhmen nëpërmjet një të kaluare e cila nuk duhet të kthehet më. Në këtë situatë sigurie globale të paqëndrueshme, ne duhet të jemi gjithmonë të gatshëm për të mbrojtur veten, dhe për të kontribuar në Aleancë për garantimin e paqes, sigurisë, dhe stabilitetit”, u shpreh tutje ai.

Back to top button