Begaj takoi ministrin e Jashtëm të Kroacisë, temë diskutimi edhe Kosova

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka pritur në takim ministrin e Jashtëm e të Çështjeve Evropiane të Kroacisë, Gordan Grlić.

Begaj ka thënë se Kroacia e ka mbështetur Kosovën në rrugën e saj për anëtarësim në organizata rajonale e ndërkombëtare, si dhe për çështjen e liberalizmit të vizave dhe procesin e dialogut me Serbinë.

“Kreu i Shtetit vlerësoi gjithashtu edhe bashkëpunimin shumë të ngushtë në kuadër të bashkëpunimit rajonal, duke nënvizuar se roli i Kroacisë për sigurinë, stabilitetin dhe zhvillimin e rajonit është shumë i rëndësishëm. Në këtë kuadër, Presidenti Begaj, vlerësoi bashkëpunimin e ngushtë si aleatë në NATO, si dhe mbështetjen që Kroacia i ka dhënë Kosovës për anëtarësimin në organizatat rajonale dhe ndërkombëtare, por edhe për liberalizimin e vizave dhe dialogun me Serbinë”, thuhet në komunikatën e Presidencës së Shqipërisë.

Me diplomatin kroat, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Tiranë, Begaj ka biseduar edhe për bashkëpunimin në kuadër të procesit të integrimit evropian të Shqipërisë.

Sipas presidentit shqiptar, përvoja kroate në këtë drejtim është shumë e dobishme për ekipin negociator të Shqipërisë, tani kur ndodhet në fazën e negociatave të aderimit në BE.

“Në mënyrë të veçantë Presidenti Begaj u ndal tek bashkëpunimi në kuadër të procesit të integrimit evropian të Shqipërisë dhe shprehu mirënjohjen për mbështetjen që Kroacia i ka dhënë gjithmonë Shqipërisë në këtë drejtim. Gjithashtu, Presidenti Begaj vlerësoi se ekspertiza dhe njohuritë kroate në këtë drejtim janë shumë të vyera për ekipin negociator shqiptar, veçanërisht në këtë fazë të negociatave të aderimit në BE”, thuhet në komunikatë.

Back to top button