Flet gjyshi i njërit nga nxënësit e lënduar nga rryma: Ka tentuar ta nxjerr shokun nga trafo

(Lajm i përditësuar)

Hilmi Duraku , gjyshi i njërit prej nxënësve të lënduar nga rryma,në shkollën “Faik Konca” tha gjendja e nipit të tij është e mirë.

“Gjendja e atij djalit të mëhershëm e ka gjendjen pak më të dobët, Ermali e ka gjendjen më të mirë. Rasti ka ndodhur në një trafo në shkollën ‘Faik Konica’. Ky Ermali tregon se ‘kam tentuar me nxjerr shokun nga trafo dhe edhe unë jam lënduar’. E ka dorën e lënduar, jashtë rrezikut është. S’ka panik, nuk ka asgjë. Vetëm organet tjera i kryejnë punët… Është rrezikut fëmija, fola me të, thotë ‘kam tentuar ta nxjerr shokun, e kam dëgjuar krismën, britmën’”,  tregoi ai.

Gjyshi i njërit nga fëmijët e lënduar tha se nuk ka shumë informacione, por është informuar se ngjarja ka ndodhur gjatë pushimit të gjatë.

Mjeku flet për gjendjen e dy të lënduarve nga rryma, njëri do transferohet në mjekim intesiv

Njëri nga dy fëmijët e lënduar në oborrin e shkollës fillore “Faik Konica” në Prishtinë ka marrë plagë të rënda dhe për momentin është duke u operuar, kështu ka konfirmuar për portalin rtv21 mjeku kujdestar në Klinikën Emergjente të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) Emergjencë Ejup Govori.

Govori ka thënë se gjendja e tyre është stabile.

“Njëri ka djegie shumë serioze dhe ka edhe djegie në sipërfaqe më të mëdha të trupit. Ky pacient është në sallën operative për intervenim nga kirurgu plastik dhe do transferohet në mjekim intensiv”, ka thënë Govori.

Ndërsa, i mituri tjetër sipas Govorit ka pësuar lëndime më të lehta në shuplaka të duarve dhe në këmbë dhe është duke u trajtuar në kirurgjinë plasitke.

Të dy viktimat janë 15-vjeçarë.

Lëndohen dy fëmijë nga rryma në shkollën “Faik Konica” në Prishtinë

Dy fëmijë janë goditur nga rryma elektrike në oborrin e shkollës fillore “Faik Konica” në qendër të Prishtinës.

Ngjarja ka ndodhur këtë të martë rreth orës 10:30.

Rastin për portalin rtv21.tv e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

“Rreth orës 10:30 kemi pranuar informatën se në rrugën George Bush në Prishtinë, dy persona (të mitur) janë goditur nga rryma elektrike. Personat janë dërguar për tretman mjekësor, ndërkohë që policia në koordinim me institucionet përkatëse po trajton rastin”, ka thënë Ahmeti.

Portali rtv21.tv ka provuar të marrë përgjigje edhe nga emergjenca, mirëpo të njëjtit ende nuk janë përgjigjur. /21Media

Back to top button