Bëhet thirrje për vaksinim kundër COVID-19

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen u ka bërë thirrje njerëzve që të vaksinohen kundër COVID-19, teksa varianti më ngjitës i koronavirusit, Delta, po vazhdon të përhapet.
Varianti Delta, që fillimisht ishte identifikuar në Indi, tani është prezentë në të paktën 85 shtete. Përhapja e këtij varianti ka shkaktuar valë të reja të infeksioneve në disa shtete. Ai është më ngjitës se të gjitha variantet e tjera ekzistuese.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen tha se nivelet e infektimeve po rriten për shkak të variantit Delta, por ajo tha se është “lajm i mirë” që vaksinat ekzistuese kundër COVID-19 janë efektive ndaj këtij varianti.
“Unë vetëm mund t’iu bëj thirrje të gjithëve që të vaksinohen. Në këtë mënyrë mbroni veten dhe rrethin tuaj”, tha ajo.
Në anën tjetër kreu i OBSH-së u bëri thirrje kompanive farmaceutike BioNTech, Pfizer dhe Moderna të shtojnë përpjekjet e tyre për të rritur prodhimin e vaksinave antiCOVID-19 në të gjithë botën.
“Unë i nxis kompanitë, si BioNTech, Pfizer dhe Moderna, të ndajnë njohuritë e tyre në mënyrë që të mund të përshpejtojmë zhvillimin e vendeve të reja të prodhimit”, tha kreu i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus.
“Janë zhvilluar qendra të reja prodhimi, përfshirë për vaksinat mARN, por kjo mund të përshpejtohet nga kompanitë që ndajnë hapur teknologjinë dhe njohuritë e tyre”, shtoi ai.
Komentet e tij vijnë ndërsa vendet debatojnë nëse dhe si ta bëjnë më të drejtë aksesin ndaj vaksinave, me disa që bëjnë thirrje për heqjen e patentave, ndërsa të tjerët favorizojnë transferimin e teknologjisë.
Deri më tani në nivel botëror janë infektuar afër 184 milionë persona. Nga ta rreth 168 milionë janë shëruar nga virusi, teksa 3 milionë e 982 mijë persona kanë vdekur si pasojë e tij. Raste aktive mbesin rreth 11 milionë e 600 mijë./21Media

Back to top button