Behrami për padinë nga Donika Gërvalla: Është nder i madh të paditesh nga shpifësja më e madhe

(Lajm i përditësuar)
Behrami për padinë nga Donika Gërvalla: Është nder i madh të paditesh nga shpifësja më e madhe
Deputeti i PDK-së Artan Behrami, në ”Click” ka reaguar pas padisë për shpifje të bërë ndaj tij nga ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.
Në një deklaratë, Behrami ka thënë se e konsideron padinë si një mundësi për të dëshmuar, duke pretenduar se çështja do të përfundojë në favor të tij.
“Është nder i madh kur paditesh nga shpifësja më e madhe, Donika Gërvalla. Kjo padi është e fituar nga ana ime. Kjo tregon se ajo që ne e kemi quajtur tolerancë demokratike është kur i duron të gjitha”, ka deklaruar Behrami.
“Po të shkojë Albin Kurti tre muaj në burg, LVV nuk e kalon pragun”, Behrami
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Artan Behrami, ka vlerësuar se PDK ka dëshmuar stabilitet politik ndër vite, duke e krahasuar këtë me Lëvizjen Vetëvendosje, për të cilën tha se është e varur nga lideri i saj, Albin Kurti.
Në emisionin Click në RTV21, Behrami deklaroi se PDK ka ruajtur stabilitetin edhe në periudha të ndjeshme politike, falë mbështetjes së elektoratit të saj, ndonëse prej gjashtë vitesh, sipas tij, partia është pa themeluesit e saj.
“Merreni PDK-në. Numrat në politikë janë shumë të rëndësishëm. PDK është partia me stabilitetin më të madh politik në Kosovë. E ka ruajtur stabilitetin në një periudhë shumë të ndjeshme. Po të shkojë Albin Kurti tre muaj në burg, LVV nuk e kalon pragun, ua garantoj. Për tre muaj nuk e kalon pragun, shpërbëhet. PDK tash e gjashtë vjet është pa themeluesit e saj dhe, falë elektoratit, i ka qëndruar besnike partisë”, deklaroi Behrami.
“Albin Kurti u ka shkaktuar trauma qytetarëve”, Behrami: Ne nuk i nënshtrohemi Kurtit
Deputeti i PDK-së, Artan Behrami, në ”Click” të RTV21 ka deklaruar se Partia Demokratike e Kosovës nuk mund të mbajë përgjegjësi për, siç u shpreh ai, “traumat” që Albin Kurti ua ka shkaktuar qytetarëve, duke theksuar se PDK është një parti politike dhe jo një subjekt që duhet t’i nënshtrohet kryeministrit.
Behrami tha se takimet me Kurtin nuk kanë treguar gatishmëri për bashkëpunim, pasi sipas tij, në to mungon vullneti për arritjen e një marrëveshjeje.
“Traumat që ua ka shkaktuar Albin Kurti njerëzve, PDK, opozita, nuk mund t’ua shërojë kurrë në jetë, sepse nuk jemi përgjegjës për këtë punë. Ne jemi parti politike, nuk shkojmë me iu nënshtru. Kur shkon në takim te ai njeri dhe sheh që nuk ka brumë të bashkëpunimit, pastaj del me kërkesa”, deklaroi Behrami.
Behrami: Kurti nuk bën koalicion me PDK-në sepse i frikësohet konkurrencës
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Artan Behrami, ka deklaruar se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, nuk dëshiron të hyjë në koalicion me PDK-në për dy arsye kryesore.
Duke folur në emisionin Click, Behrami tha se Kurti e sheh PDK-në si një “gjenerator votash”.
Sipas Behramit, arsyeja e dytë lidhet me frikën e Kurtit nga konkurrenca brenda qeverisë.
“Albin Kurti nuk do të bëjë koalicion me PDK-në për dy arsye. E para, ai edhe më tutje e sheh se nëse goditet UÇK-ja dhe gjeneralët e PDK-në, por njëkohësisht e sheh atë si gjenerator votash. E dyta, paramendoni Albin Kurtin kryeministër, ndërsa ministre e Jashtme Vlora Çitaku ose Enver Hoxhaj e disa të tjerë. Janë ministra që prodhojnë punë, të cilat ai nuk ka mundur t’i kryejë. Ai nuk e do konkurrencën dhe këtë e kemi parë edhe në raport me Vjosa Osmanin”, deklaroi Behrami.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?