Bekim Haxhiu tërhiqet nga kryesimi i grupit punues për ligjin anti-Covid

Kërkesa e kryetares së Komisionit për Shëndetësi, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, drejtuar institucioneve shëndetësore që të mos përgjigjen në pyetjet e deputetit të PDK-së Bekim Haxhiu, ka përplasur deputetët në mbledhjen e sotme ku po diskutohet për monitorimin e zbatimit të Ligjit për parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë COVID-19.
Deputeti i PDK-së Bekim Haxhiu, ka deklaruar se pas ndërhyrjes së kryetares së komisionit do të tërhiqet nga grupi punues për monitorimit të zbatimit të Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19.
“Është ndërhyrje në punën e grupit punues, është minim i punës. Është absurde me iu dërgu e-mail institucioneve për të mos u përgjigjur pyetjeve të deputetëve. Po ju tregoj unë nuk mund të punoj në një grup punues derisa ju i dërgoni e-mail institucioneve që të mos përgjigjen. Unë nuk do të jem më pjesë e këtij grupi punues”, ka thënë ai.
Mulhaxha-Kollçaku duke iu përgjigjur deputetit Haxhiu ka thënë se i njëjti ka keqpërdorur në emër të grupit punues.
“E keni keqpërdor në emër të grupit punues, keni dërguar e-mail, keni dalë jashtë fushës së studimit. Ju punoni krye në veti, nuk e respektoni komisionin”, ka thënë Mulhaxha-Kollçaku.
Sërish ka reaguar deputeti Bekim Haxhiu, i cili ka theksuar se nuk po e kupton pse po brengosen për raportet që kanë kërkuar.
“Pse po brengoseni nëse kemi kërkuar raport ditor, pse po brengoseni nuk po ju kuptoj”, ka theksuar Haxhiu.

Back to top button