Beqa thotë se do të jetë zëri i qytetarëve në Kuvend

 

Kandidati për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Hajdar Beqa tha se do të jetë zë i fuqishëm i qytetarëve.

Beqa është i bindur se në zgjedhjet e 14 shkurtit, Partia Demokratike e Kosovës do të dalë e para dhe se ai do të jetë një nga deputetët më të dinjitetshëm të legjislaturës së tetë.

Iniciativat ligjore të nisura gjatë kohës sa ishte deputet, sipas tij, janë dëshmia më e mirë e kryerjes së punës me përgjegjësi dhe në interes të qytetarëve.

“Kam qenë deputet për dy mandate. Konsideroj që kam dhënë një kontribut të rëndësishëm për qytetarët e vendit tim, kam qenë një zë i fuqishëm i qytetarëve të Republikës, kam ngritur çështje që janë në interes të vendit. I kam mbrojtur vlerat e qytetarëve në Kuvendin e Republikës të Kosovës, në të njëjtën kohë kam bërë propozime për shumë amendamente për shumë ligje, në veçanti për pakon e ligjeve të drejtësisë por, edhe për ligje tjera. Duke u bazuar në përvojën time, mendoj se do të jem njëri nga deputetët më dinjitoz në Republikën e Kosovës”, tha ai.

Beqaj është i bindur se programi i rimëkëmbjes, i hartuar nga ekspertë të PDK-së, është opsioni më i mirë për vendin.

“Fokusi im do të jetë të jem zëri i qytetarëve dhe të bëj veprime që ua lehtësojnë jetën qytetarëve dhe ta zbatojmë 100 përqind kontratën me qytetarët. Konsideroj që qytetarët duhet të jenë me neve në programin e rimëkëmbjes, si program më stabil për kthesën e madhe që do të ndodhë më 14 shkurt me z. Hoxhaj kryeministër. Konsideroj që aty do të jem një zë i fuqishëm në implementimin e këtij programi”, u shpreh ai.

Ish-deputeti Hajdar Beqa premtoi se do t’i mbrojë në çdo kohë interesat e qytetarëve të Kosovës.

Derisa kritikoi dy qeveritë e kaluara për keqmenaxhimin me pandeminë, Beqa ftoi qytetarët që të votojnë PDK për një qeveri të qëndrueshme për 4 vjet.

“Mesazhi im për fund është që qytetarët më 14 shkurt të dalin të votojnë në mënyrë masovike për Partinë Demokratike të Kosovës, të votojnë për një stabilitet institucional, të votojnë për një qeveri të qëndrueshme për 4 vjet, të votojnë për një kryeministër, i cili e ka një bagazh politik dhe profesional, siç është Enver Hoxhaj. Por, të votojnë për një stabilitet ekonomik dhe social që kemi më së shumti nevojë në këtë kohë që po e kalojmë, një pandemi që po e kalon krejt bota, i vetmi vend që nuk kemi pasur ndonjë udhëzim konkret qysh me dal, PDK e ka një plan të veprimit konkret, ka prioritete konkrete dhe të gjitha ato burojnë nga qytetarët e Kosovës dhe janë të hartuara nga ekspertët më të mirë që i ka vendi”, tha Beqa.

Hajdar Beqa garon për deputet në Kuvendin e Kosovës në zgjedhjet e 14 shkurtit nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, me numrin 28.

Back to top button