​Berisha: Është me rëndësi të mos humbim ndaj Izraelit

Mesfushori i Kombëtares së Kosovës në futboll, Valon Berisha, e ka cilësuar përballjen me Izraelin si një sfidë shumë të vështirë.

Ai ka pranuar gjithashtu se personalisht nuk është në formën më të mirë, por që shpreson ta arrijë atë në ditët në vijim.

“Atmosfera është shumë e mirë dhe stërvitja sot ishte shumë intensive. Për mua ishte pak më e vështirë, pasi kam udhëtuar thuajse dy ditë për të ardhur këtu. E ndjeva veten mirë, por ende jo 100 përqind i rikuperuar. Ekipi po punon mirë dhe sot kemi filluar ta përgatisim lojën tonë, të cilën do ta aplikojmë kundër Izraelit. Sigurisht se do të jetë një ndeshje e vështirë sepse ata luajnë para tifozëve të vet”, ka thënë Berisha për fazën zyrtare të FFK-së.

Ai ka këmbëngulur se e duan fitoren ndaj Izraelit, por e sheh edhe barazimin si rezultat të mirë.

“Edhe koha mendoj se do të jetë më ndryshe se sa jemi mësuar ne, me temperaturat këtu dhe do të jetë një sfidë e vështirë. Edhe ata duan të arrijnë në top dyshen e grupit dhe mendoj se jemi në të njëjtin nivel. Është një ndeshje shumë e rëndësishme, në të cilën duhet që së paku të marrim një pikë jashtë. Normal, fitorja është ajo që duam, por me rëndësi është të mos humbim. Misioni i kualifikimit a është i mundur? Besoj që po. Ajo që është kryesore për ne është se shumë lojtarë kyç në kombëtare janë duke luajtur rregullisht në ekipet e tyre dhe janë në formë të mirë. Ky ndoshta ka qenë edhe fakti që është kërkuar më së shumti tek kombëtarja jonë, që me sjellë formën e tyre të mirë dhe të jenë të gatshëm për ta dhënë maksimumin për Kosovën”, ka shtuar ai.

Ndeshja Izrael-Kosovë zhvillohet të shtunën me fillim nga ora 18:00.

Back to top button