Berisha “shmang” dorëheqjen: Kush mendon se tërhiqen para krimit, sheh veshin pa pasqyrë

Në daljen e sotme për mediat, Sali Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama se ndryshoi vullnetin e shqiptarëve, ku si referencë tashmë pati raportin paraprak të OSBE-ODIHR.

Berisha në një konferencë për media, ka vlerësuar raportin e OSBE/ODIHR, të Autoriteteve Lokale Rajonale dhe të Parlamentit Evropian, të cilët, sipas tij, dëshmuan se zgjedhësit shqiptarë votuan nën presion dhe jo të lirë.

“Unë vlerësoj raportin e OSBE/ODIHR, të Autoriteteve Lokale Rajonale dhe të Parlamentit Evropian, të cilët dëshmuan se zgjedhësit shqiptarë votuan nën presion dhe jo të lirë. Kjo është kryefjala e këtyre zgjedhjeve, ku me presione të të gjitha llojeve, Edi Rama ndryshoi në mënyrë antikushtetuese, antiligjore, vullnetin e shqiptarëve, ndryshoi rezultatin e votimit. Raporti paraprak, ndonëse është paraprak dhe jo përfundimtar, vë gishtin në problemet më madhore të këtyre zgjedhjeve, duke filluar nga makineria shtetërore elektorale si një përbindësh shkatërrimtar i procesit zgjedhor, si një akt që krijon pabarazinë më të madhe në procesin zgjedhor, ndalet në të gjitha format antiligjore të ndërhyrjes në vullnetin e qytetarëve shqiptarë nga qeveria, nënvizon blerjen masive të votës, gjer dhe presionet e tjera të administratës mafioze, më e pranishme se kurrë në qendrat e votimit dhe procesin e votimit”, tha ai.

Berisha është pyetur nëse mban përgjegjësi që koalicioni Bashkë Fitojmë, ka humbur edhe në Shkodër, madje ai është pyetur nëse do të jap dorëheqje.

“Shkodra votoi nën pushtim të vërtetë. Të gjitha pollet e kundërshtarëve tanë, por dhe tonat, e nxirrnin Bardh Spahinë 14 gjer në 16 pikë përpara. Nëse mendon ti apo ndokush tjetër se tërhiqet Sali Berisha para krimit, ai sheh veshin pa pasqyrë. Unë kurrë nuk tërhiqem para bandat të krimit shtetëror dhe joshtetëror. Shkodran është shembulli më i shëmtuar, në të cilën u votua si në rrethim nga banda të Edi Ramës. Në Shkodër u përdorën sasi kolosale, dhjetëra milionë euro dhe jam i bindur se qytetarët e Shkodrës, zgjedhën e krimit, pushtetin e krimit, nuk do ta pranojnë”, tha ai.

Berisha është pyetur nëse PD do ta njeh rezultatin.

“Unë po flas qartë se kemi të bëjmë me procesin më të shëmtuar në historinë e vendit. Kemi të bëjmë me një proces ku qytetarët shqiptarë nuk votuan të lirë. Mbi bazën e saj, PD dhe koalicioni do marrë të gjitha vendimet. Nuk mundet populli opozitar, një gjë u faktua, siç e patë. Përkundrejt kësaj stuhie të hapur për asgjësimin e opozitës, opozita qëndroi fuqishëm. Qëndroi dhe u faktoi shqiptarëve se qeveria dështoi në çdo përpjekje për ta asgjësuar atë, përveçse ndryshimin e rezultateve të zgjedhjeve kur blihej vota me 300 euro, kur operatori në votimin elektronik votonte për zgjedhësit, shoqëronte zgjedhësit, etj. Këto i kemi të gjitha të dokumentuara”, tha ai.

Ai shtoi se Edi Rama nxori bandat, liroi nga burgu me marrëveshje për të mposhtur votën e qytetarëve të Shkodrës.

Back to top button