Berisha: Të jemi të fokusuar kundër Moldavisë

Portieri i Kombëtares Shqiptare, Etrit Berisha deklaroi se skuadra duhet të jetë e fokusuar maksimalisht në ndeshjen me Moldavinë, ndërsa u shpreh se brenda grupit të kuqezinjve ka entuziazëm, por jo eufori. Moldavia është një kundërshtar me shumë kualitet dhe do të luajë fort tha ndër të tjera gardiani kuqezi, por nga ana tjetër, të njëjtën gjë do të bëjnë edhe kuqezinjtë në fushën e lojës.

“Jemi në një moment shumë delikat. Jemi shumë të fokusuar për këtë ndeshje. Një nga arsyet se pse kam zgjedhur që të shkoj tek Empoli ka qenë se dua të jem i gatshëm dhe në një formë shumë të mirë. Kjo po ndodh fatmirësisht. Për gjëra të tjera, duhet t’ia lëmë trajnerit. E kemi entuziazmin dhe s’duhet ta humbasim sepse është e vështirë për t’u krijuar. Duhet të shkojmë në Moldavi, me të gjithë respektin që kemi për ta. Por ne do të bëjmë lojën tonë. Është një sfidë e re. Çdo ndeshje ka vështirësitë e saj. Ne i dimë kualitetet e tyre dhe kualitetet tona. Duhet të hyjmë sa më shumë të motivuar, që të kryejmë punë sa më parë të jetë e mundur.”, tha Berisha.

Ai më tutje shtoi se brenda skuadrës ka entuziazëm mjaftë të madh para kësaj ndeshje, por jo edhe eufori.

“Nuk mund të them që ka eufori, por ka entuziazëm. Këtë duhet ta mbajmë dhe më tutje. Kemi qenë në vështirësi më herët, kemi derdhur djersë e mund për të arritur deri këtu. Jo vetëm në këtë ndeshje, por edhe pas kësaj ndeshje duhet ta menaxhojmë situatën sa më mirë dhe t’i bëjmë gjërat si duhet. Nëse kemi mundësi që të kualifikohemi në Evropian, duhet të shkojmë dhe t’i bëjmë gjërat dhe më mirë se ç’i kemi bërë më herët.”, tha Berisha në fund.

Kombëtarja shqiptare do të luajë të premten e 17 nëntorit ‘finalen’ e parë të këtij muaji ndaj Moldavisë në transfertë, e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Evropian ‘Gjermani 2024’./kp

Back to top button