Berlusconi nuk ndalet, kërkon mbrojtësin e Arsenalit te Monza

Skuadra e sapo-promovuar në Serie A, Monza, këtë verë ka qenë e zënë me disa transferime, duke e përforcuar skuadrën për sezonin e ri 2022/23.
Deri tani, skuadra e Silvio Berlusconit ka arritur të transferojë 18 lojtarë të rinj, disa në formë huazimi e disa në marrëveshje të përhershme.
Ndër ta, janë edhe dyshja e Interit, Stefano Sensi dhe Andrea Ranocchia, ku Sensi i është bashkuar Monzës në formë huazimi, kurse Ranocchia në formën e lojtarit të ri.
Por, të gjitha këto transferime nuk e kanë ngopur Berlusconin, pasi që thuhet se tani skuadra e tij po synon që të transferojë mbrojtësin e Arsenalit, Pablo Mari.
Monza e dëshiron Marin në formë huazimi me obligim blerjeje nëse qëndron në Serie A sezonin tjetër, por që tani ka konkurrencë për të siguruar shërbimet e mbrojtësit spanjoll.
Thuhet se skuadra e Hellas Veronas dëshiron me çdo kusht ta transferojë Marin, ku edhe po ofron që marrëveshja për spanjollin të jetë e përhershme dhe jo në formë huazimi.
Mbetet të shihet se cili do të jetë vendimi i fundit, por Pablo Mari do të largohet 100% nga skuadra e Arsenalit.

Back to top button