Besian Mustafa tregon si e mori lajmin për vrasjen e babait të tij 21 vjet më parë

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa ka ndarë momente kur u informua për vrasjen e babait të tij, Xhemajl Mustafës, 21 vjet më parë.
Përmes një shkrimi në Facebook, Mustafa ka rrëfyer momentin e trishtë.
“Ditë e rëndomtë mësimi në gjimnazin Sami Frashëri në Prishtinë. Arsimtari(ja?) sqaronte diçka… nuk di, s’kisha mendjen aty. Si 16 vjeçar, i sapombijetuar nga lufta një vit e gjysmë më parë, s’ishte çudi që mendja të kishte planet e saj, këmbët e saj. Qetë, si me drojë, hapet dera e klasës dhe brenda hyjnë motra Beriana dhe drejtori i shkollës. “Bes” më drejtohet ajo “merre çantën dhe jaknen edhe hajde”. Mendjen mjegull nga mendimet e mëparshme dalë nga klasa pa pyetur asgjë. Në korridor më priste gruaja e dajës Xhevahirja. Rrugës në veturën e Xhevës, nga Sami Frashëri tek parkingu i lagjes “Santea” nuk folëm shumë. “Babin e kanë plagosë” tha Beri dhe asnjë fjalë. S’dilja dot nga mjegulla… kush e paska plagosë babin? Pse babin? Ai s’i ka ba keq kurrkujt kurgjo… a janë të sigurt që babin e kanë plagosë? Në kaosin e pasluftës njerëzit plagoseshin çdo ditë, ndoshta s’e kanë plagosë babin? “A je ti djali i zotëri Mustafës?” më pyet në anglisht një polic i UNMIK-ut. “Po” i them unë. “Më vjen keq por babi yt nuk mbijetoi” ma pret ai sikurse të fliste për rezultatin e ndonjë loje futbolli apo çmimin e ndonjë fruti në treg. Mendjen vazhdon të ma mbështjellë e njëjta mjegull e mëngjesit. S’dal dot nga ajo.Kthehem brenda në butikun “Charlie” ngjitur hyrjes se banesës sonë – s’na kishin lënë të ngjitemi lartë në banesë, babin e kishin “plagosë” mbi shkallët e katit të parë të hyrjes – dhe u tregoj çka më kishte thënë polici. Ulem diku, nuk dëgjoj asgjë. I shihja të gjithë duke qarë e nxjerrë shpirtin plot mërzi. Por s’i dëgjoja. Mendjen e kisha plot mjegull. Sot 21 vjet më vonë. S’dal dot nga kjo mjegull”, ka shkruar Mustafa në Facebook.

Xhemail Mustafa u vra më 23 nëntor në vitin 2000 në Prishtinë, deri sa po hynte në banesën e tij, ai u qëllua për vdekje me armë zjarri nga dy persona. Ai ndërroi jetë në moshën 47 vjeçare, la pas gruan dhe fëmijët e tij./21Media

Back to top button