Mehaj pas aksidentit në Bullgari: Të gjithë jemi me ju në këto çaste shumë të vështira

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj përmes një postimi në “Facebook”, ka reaguar lidhur me aksidentin tragjik që ndodhi sot në Bullgari.
“Dhembje shumë e madhe me rastin e humbjes së jetës së 46 qytetarëve nga Maqedonia e Veriut në aksidentit tragjik në Bullgari. Ngushëllimet më të thella familjeve të viktimave dhe shërim të shpejtë të lënduarëve. Të gjithë jemi me ju në këto çaste shumë të vështira! Qoftë i përjetshëm kujtimi për ta!”, ka shkruar Mehaj.
Të paktën 46 persona, shumica prej tyre nga Maqedonia e Veriut, kanë vdekur pasi një autobus është përfshirë nga flakët në një autostradë në perëndim të Bullgarisë më 23 nëntor. 12 fëmijë kanë qenë në mesin e viktimave dhe shtatë të mbijetuar kanë pasur nevojë për trajtim në spitalin e kryeqytetit Sofje, si pasojë e djegieve, ka thënë Nikolai Nikolov nga Ministria e Brendshme e Bullgarisë për televizionin privat, BTV.
Në autobus besohet se kanë qenë 53 persona.
Shkaku i përplasjes është duke u hetuar. Në raportimet lokale është thënë se autobusi mund të ketë goditur një parmak.
Bullgaria është përballur me disa aksidente rrugore vdekjeprurëse në vjetët e fundit.
Ndër të fundit ka ndodhur më 2018, kur 17 turistë bullgarë kanë vdekur pas rrëshqitjes dhe rrokullisjes së autobusit, si pasojë e lagështisë.
Aksidentet zakonisht janë shkaktuar për shkak të kushteve në rrugë, makinave të vjetra dhe shpejtësisë.
Sipas të dhënave zyrtare, 628 persona kanë vdekur në aksidente rrugore më 2019 dhe 463 vitin e kaluar, në shtetin me 6.9 milionë banorë./21Media

Back to top button