Biden nuk do të heqë sanksionet ndaj Iranit

 

 

Joe Biden, president i SHBA-së, tha sot se nuk do të heqë sanksionet ndaj Iranit derisa ky vend të përmbushë detyrimet në fushën e energjisë bërthamore.

Duke iu përgjigjur një pyetje nga rrjeti CBS në lidhje me mundësinë e heqjes së sanksioneve për të bindur Teheranin që të kthehet në tryezën e negociatave dhe të shpëtojë marrëveshjen për programin bërthamor iranian, Joe Biden tha qartë se “Kjo nuk është e mundur”, raporton cnn.

I pyetur nga gazetarët nëse iranianët duhet të “ndalojnë së pari pasurimin e uraniumit”, presidenti amerikan u përgjigj duke tundur kokën në formë pohimi, sipas një pjese të bisedës që do të botohet në tërësi sonte.

Në vitin 2015, pas negociatave të gjata dhe të vështira, Shtetet e Bashkuara përfunduan një marrëveshje me Iranin që duhet ta parandalonte atë nga prodhimi i një bombe atomike. Teksti u nënshkrua nga superfuqitë e tjera (Kina, Rusia, Gjermania, Franca dhe Mbretëria e Bashkuar) dhe më pas u ratifikua nga OKB-ja.

Por Donald Trump tërhoqi Uashingtonin nga traktati tre vjet më vonë, duke e quajtur atë të pamjaftueshëm në terma bërthamorë dhe në goditjen e veprimtarive të tjera “destabilizuese” të Republikës Islamike. Ish presidenti u kthye dhe më pas shtrëngoi të gjitha sanksionet ndaj Iranit që u hoqën në këmbim të marrjes së detyrimeve bërthamore gjersa Teherani nga ana e tij filloi të lirohet nga detyrimet e tij.

Joe Biden është zotuar të kthejë SHBA-në në marrëveshjen mbi programin bërthamor të Iranit me kusht që Irani të kthehet i pari në detyrimet e tij. Por udhëheqësit iranianë përsëritën të dielën se Shtetet e Bashkuara duhet të “heqin plotësisht” sanksionet përpara se të bien dakord të kufizojnë përsëri programin e tyre bërthamor.

Back to top button