Sunak: Siguria e Ukrainës është siguria jonë

(Lajm i përditësuar)

Kryeministri britanik, Rishi Sunak ka nënvizuar mbështetjen e vendit të tij për mbrojtjen e Ukrainës kundër Rusisë, duke thënë se “Siguria e Ukrainës është siguria jonë”.

Mbretëria e Bashkuar do të fillojë trajnimin e pilotëve ukrainas në avionët luftarakë F-16 të prodhuar nga SHBA “këtë verë” për të “mbështetur forcat ajrore të Ukrainës me atë që i nevojitet për të ardhmen”, tha Sunak në fjalët e mbajtura të dielën në Hiroshima, Japoni.

Sunak përshëndeti “progresin shumë të prekshëm në ofrimin e mbështetjes së mëtejshme”, të bërë në G7, veçanërisht mbështetjen e Presidentit të SHBA Joe Biden për një “koalicion ndërkombëtar” të vendeve për të ofruar avionë luftarakë të avancuar për Ukrainën.

“Ukraina jo vetëm që duhet të fitojë luftën, por duhet të fitojë një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”, tha Sunak.

Sunak vlerësoi praninë e Zelensky në G7 në Hiroshima si një “moment shumë të fuqishëm”. Dyshja zhvilluan një takim dypalësh të shtunën.

“Të shohësh Presidentin Zelensky duke qëndruar krah për krah me aleatët e tij G7, mendoj se i dërgon një mesazh Rusisë dhe botës, se ne jemi të bashkuar pas Presidentit Zelensky dhe popullit të tij dhe do të vazhdojmë ta mbështesim atë për aq kohë sa të duhet”, tha Sunak.

Biden takohet me Zelensky

Presidenti i SHBA-ve, Joe Biden po takohet me liderin ukrainas Volodymyr Zelensky në Hiroshima në margjinat e samitit të G7.

Zelensky në samitin e G7: Ne jemi të gjithë së bashku

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky tha të dielën se ai i kishte paraqitur “botës” formulën e paqes me 10 pika të Ukrainës, teksa takoi liderët botërorë në samitin e G7 në Hiroshima, Japoni.

“Për sa kohë që pushtuesit mbeten në tokën tonë, askush nuk do të ulet në tryezën e bisedimeve me Rusinë”, shkroi Zelensky në Twitter, duke shtuar se “bota ka fuqi të mjaftueshme për të detyruar Rusinë të rivendosë paqen hap pas hapi”.

“Bota jonë është e gjerë, por ne jemi të gjithë së bashku”, shtoi Zelensky.

“Nga Japonia në vendet arabe, nga Evropa në Amerikën Latine, ne gjejmë mbështetje për formulën tonë. Dhe ne vazhdojmë këtë punë,” tha ai./21Media

Back to top button