Biden tha se sulmi rus ndaj Ukrainës ende është i mundshëm

Një sulm rus në Ukrainë ende “është shumë i mundshëm”, tha presidenti i ShBA-së, Joe Biden. Presidenti amerikan tha se Rusia tani ka grumbulluar rreth 150,000 trupa në kufirin me Ukrainën. Ministri rus i mbrojtjes ka thënë se disa forca janë tërhequr. Por, Biden tha se kjo nuk ishte verifikuar.

“Largimi i forcave ruse do të ishte mirë, por ne nuk e kemi verifikuar ende këtë. Nuk kemi verifikuar ende se njësitë ushtarake ruse po kthehen në bazat e tyre vendase”, tha presidenti i SHBA-ve.

Biden u shpreh se ishte dakord me një propozim të qeverisë ruse për të vazhduar diplomacinë. Presidenti amerikan paralajmëroi gjithashtu se ekonomia amerikane mund të vuajë nga ndërprerja e furnizimit me energji dhe rritja e çmimeve në rast se sanksionet do të vendoseshin ndaj Rusisë si përgjigje ndaj çdo pushtimi të Ukrainës.

“Populli amerikan e kupton se mbrojtja e demokracisë dhe lirisë nuk është kurrë pa kosto”, tha presidenti amerikan, shkruan BBC, përcjell rtv21.tv

Ai u shpreh se ShBA-të “nuk duan konfrontim direkt me Rusinë”, por shtoi se nëse Rusia sulmon amerikanët në Ukrainë, “ne do të përgjigjemi me forcë”.

“Unë nuk do të pretendoj se kjo do të jetë pa dhimbje. Për qytetarët e Rusisë: ju nuk jeni armiku ynë dhe nuk besoj se dëshironi një luftë të përgjakshme, shkatërruese kundër Ukrainës.”, tha Biden.

NATO shprehu “optimizëm të kujdesshëm” të martën në lidhje me njoftimin e ushtrisë ruse se kishte tërhequr disa nga trupat e saj nga kufiri me Ukrainën.

Fjalimi i Biden erdhi disa orë pasi presidenti rus, Vladimir Putin tha se shqetësimet e Moskës për sigurinë duhet të trajtohen dhe të merren seriozisht.

Putin gjithmonë ka mohuar se ai po planifikon një inkursion dhe tha se Rusia nuk dëshiron një luftë tjetër në Evropë. Megjithatë, tensionet janë rritur që nga nëntori. Rusia ka lidhje të thella kulturore dhe historike me Ukrainën, e cila është një ish-republikë sovjetike. Putin kërkon garanci se nuk do t’i bashkohet aleancës ushtarake perëndimore të NATO-s, sepse ai e sheh çdo zgjerim të saj si një kërcënim për Rusinë. NATO e ka refuzuar këtë kërkesë./21Media

Back to top button