Biserko: Në veri po provokohej konflikt që të hynte ushtria serbe

Presidentja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko ka deklaruar se sulmi në veri të Kosovës mund të pritej, duke pasur parasysh sjelljen e Beogradit në muajt e fundit.

“Grafiti ‘Kur të kthehet ushtria në Kosovë’ si njoftim ka vërshuar jo vetëm Beogradin, por edhe brendësinë e Serbisë. Më pas ishte fjalimi i presidentit Aleksandar Vuçiq në Asamblenë e Përgjithshme, toni dhe mesazhi i tij – e gjithë kjo tregon se diçka është duke u përgatitur. Beogradi ka qenë gjithmonë transparent në synimet e tij, si në vitet 1990 kur u nis për të shkatërruar Jugosllavinë”, tha ajo në një intervistë për CdM.

Ajo ka thënë se po bëhet gjithnjë e më e qartë se ka pasur një skenar për të provokuar një konflikt që më pas ushtria serbe të hyjë “për të mbrojtur popullin serb në veri dhe në këtë mënyrë të bëhet realitet ndarja e Kosovës”.

Sipas Biserkos, Rusia gjithashtu ka një interes për krijimin e tensioneve dhe hapjen e pikave kritike në mënyrë që të largojë një pjesë të vëmendjes nga Ukraina. Është indikative, thekson ajo, se të nesërmen Vuçiq priti ambasadorin rus për t’u ankuar se Kurti po përgatitë “spastrimin etnik të serbëve”.

Qeveria e Serbisë në një seancë të jashtëzakonshme e shpalli 27 shtatorin Ditë zie lidhur me ngjarjet tragjike në Kosovë.

Back to top button