Bislimi: Serbia e interesuar të bllokojë marrëveshjen për targa

Zëvendëskryeministri i Parë i Kosovës për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, sot mirëpriti në takim Emisarin e Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, të cilin e informoi për përkushtimin e Kosovës në dialogun me Serbinë.
Zëvendëskryeministri Bislimi, siç informoi Zyra e Kryeministrit, u shpreh se përsa i përket raundit të fundit të bisedimeve, Kosova ka qenë e përkushtuar të arrihet një marrëveshje permanente për çështjen e targave të veturave, duke i respektuar praktikat dhe standardet më të mira të Bashkimit Evropian.
Ai theksoi se marrëveshja nuk është arritur për shkak të mungesës së vullnetit dhe propozimit konkret nga pala tjetër, që reflektoi interesimin e tyre për të bllokuar arritjen e kësaj marrëveshjeje dhe respektimin e marrëveshjes së Brukselit të 30 shtatorit. Siç u shpreh Bislimi, Kosova vazhdon të jetë konstruktive, kreative dhe e përkushtuar në këtë proces.
Gjithashtu, Bilsmi shprehu vlerësim të thellë për bashkëpunimin e ngushtë mes dy shteteve dhe mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë për procesin e integrimit evropian të Kosovës, duke përfshirë këtu liberalizimin e vizave, anëtarësimin në Këshillin e Evropës dhe rrugëtimin drejt Bashkimit Evropian.
“Në përfundim të takimit, zëvendëskryeministri Bislimi shprehu mirënjohje për angazhimin e z. Sarrazin në Ballkanin Perëndimor dhe rolin e rëndësishëm të shtetit të Gjermanisë.”, u bë e ditur në komunikatë./21Media

Back to top button