Bizneset dëmtohen nga vendimet për kufizim të orarit të punës dhe qarkullimit të automjeteve

Vendimi i Ministrisë së Shëndetësisë për kufizimin e orarit të punës, si dhe vendimi i Ministrisë së Infrastrukturës për ndalimin e qarkullimit të automjeteve me peshë më të madhe se 7.5 tonë, në autoudhë, rrugë rajonale dhe nacionale, I kanë vënë në hall jo pak kompani, të cilat thonë se për pasojë të këtyre vendimeve do përballen me humbje të mëdha. Ndërtimtari, Ragip Behrami për RTV21 thotë se këto dy vendime kanë vështirësuar ecurinë afarizmit të kompanisë së tij.
“…Nismat e tilla janë në rregull por do duhej të ndërmerren të atilla që të mos kenë pasoja financiare për cilëndo palë. Jo vetën financiare por edhe të dinamikës së zhvillimit. Për shkak që ky vendim na vendosi para nje situate që i patëm dy opsione, ose me i mbajtë punëtorët në orarin e planifikum ndërsa paga me qenë e njejtë me gjysmë orari, ose me i liru për këtë jave nga puna për shkak të temperaturave. Po këto dyja do ishte dashtë vendimi me qenë edhe me ndonjë masë subvencionuese, po tani aspekti tjetër është edhe i dinamikës së punës. Pastaj edhe me orarë të kuzifum të transportit na ndikon mjaftë në dinamikë, e sidomos në projekte që kane të bëjnë me sasi të mëdhaja të furnizimeve…”, tha Behrami.
Kryetari i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, konsideron do të duhej një dialog para se të merreshin këto vendime të cilat mund të reflektohen tek kompani të ndryshme.
“…..atëherë natyrisht që vendime të tilla që kufizojnë operacionet e bizneseve ose veprimtarinë e tyre, pashmangshëm që kanë ndikim edhe në profitabilitetin e tyre dhe duhet të kemi parasysh për disa industri të caktuara si ajo e ndërtimtarisë ku është periudha ku mund të punohet. Por janë edhe sektorët e tjerë të shitjes me pakicë edhe të kompanive të distribuimit, përfshirë edhe ato të prodhimit për të cilat kjo sezonë këta muaj janë ndër më të rëndësishmit me ndikimin më të madh. Prandaj vendime të tilla kanë ndikim. Do të ishte mirë të diskutohen edhe implikimet e mundshme. Situata të tilla të befasishme kur nuk mund të japim asnjë kontribut…”, tha Zeka.
Kundër këtij vendimi të Qeverisë është edhe Lidhja e Bizneseve të Kosovës. Kryetari, Besart Dreshaj, thotë se gjendja e bizneseve në vend edhe ashtu është rëndaur.
“…po, fatkeqësisht ne si Lidhje e Bizneseve e kundërshtojmë, mendojmë që është vendim i ngutshëm, jo i analizuar mirë sepse nuk jemi në një situatë të mirë ekonomike dhe gjendja e tyre financiare nuk është e mirë. Qeveria në vend që të marrë obligim për mbështetje dhe stimulim për fat të keq ka nxjerrë vendime që direkt e dëmtojnë të bërit biznes dhe se kompanitë, dita ditës po përballen me probleme të ndryshme. Një vendim i tillë i dëmton edhe prodhuesit vendor, duke analizuar që lënda e parë importohet nga shtetet e ndryshme. Asnjë shtet tjetër i regjionit juk ka nxjerrë vendime të tilla dhe kjo bjen në kundërshtim me shtetet e tjera kështu që na dëmton jashtëzakonisht shumë. Ne kërkojmë nga Qeveria që këto vendime ti analizoj përsëri…”, tha Dreshaj.
Me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të qytetarëve, Ministria e Shëndetësisë mori vendim që të kufizohet orari i punës nga data 13 deri më 20 korrik për disa kategori, përfshirë edhe ndalimin e punës në ambiente të jashtme nga ora 11:00 deri në orën 17:00. Ndërkaq, me qëllim të mbrojtjes së rrugëve nga dëmtimi, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, nga data 14 deri më datën 31 korrrik, ka ndaluar qarkullimin e automjeteve me peshë më të rëndë se 7.5 tonë nga ora 11:00 deri në 17:00./RTV21/21Media