Bizneset kërkojnë nga Qeveria e re angazhim në aftësimin e fuqisë punëtore

“Kapitali njerëzor është një faktor shumë i rëndësishëm në zhvillimin e individëve për përgatitjen e tyre profesionale”

Pavarësisht angazhimit të sektorit privat në aftësimin e të rinjve në industri të ndryshme, Qeveria duhet të luajë rol kyç në përgatitjen e të rinjve në fusha të caktuara përmes programeve strategjike afatgjate.

Kjo u tha në tryezën e organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ku bizneset e pranishme dhanë rekomandimet e tyre rreth kapitalit njerëzor në Kosovë për Qeverinë e re.

Drejtori ekzekutiv i Odës Amerikane, Arian Zeka, tha se ndër sfidat më të mëdha me të cilat po ballafaqohen bizneset kosovare, e sidomos ato në sektorin e prodhimit, shërbimeve, dhe tregtisë, është edhe sigurimi i kuadrove të duhura të fuqisë punëtore, duke shtuar se Qeveria e re duhet të fokusohet edhe në aftësimin e të rinjve për të qenë të gatshëm për tregun e punës.

Përfaqësuesja e kompanisë Limak, Valentina Gara, tha se kapitali njerëzor është një faktor shumë i rëndësishëm në zhvillimin e individëve për përgatitjen e tyre profesionale. Ajo shtoi si të nevojshme investimin social në shoqëri në përgatitjen e të rinjve për tregun e punës përmes trajnimeve të ndryshme, duke thënë se zhvillimi ekonomik arrihet jo vetëm nga hapja e vendeve të punës por duke krijuar kuadrot e duhura në vendin e punës përmes investimeve të bëra nga Qeveria në programe të ndryshme.

Back to top button