Vdiq në QKUK personi që u aksidentua nga treni 1 javë më parë në Jagodë të Klinës

Një person ka vdekur në orët e para të së mërkurës, në QKUK, si pasojë e lëndimeve të marra në një aksident trafiku që kishte ndodhur më 6 maj në fshatin Jagodë të Klinës, ku ishin përfshirë një tren udhëtarësh dhe një makinë pune.
Policia ka njoftuar se viktima, e cila po trajtohej në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë, ka ndërruar jetë më 13 maj, pak para orës 4 të mëngjesit.
“Sipas ekipit mjekësor, personi i lënduar rëndë nga aksidenti ka ndërruar jetë gjatë trajtimit në QKUK”, thuhet në njoftimin policor, transmeton KosovaPress.
Aksidenti kishte ndodhur më 6 maj 2026 rreth orës 12 e 40 në fshatin Jagodë të Klinës. Pas marrjes së informatës, njësitë policore kishin dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku ishte konstatuar se si pasojë e përplasjes mes trenit të udhëtarëve dhe një makine pune, një person kishte pësuar lëndime të rënda trupore.
I lënduari fillimisht ishte dërguar në Spitalin Rajonal në Pejë, ndërsa më pas, për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore, ishte transferuar për trajtim në QKUK në Prishtinë.
Policia ka bërë me dije se lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, ndërsa me urdhër të tij trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) në Prishtinë për obduksion.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?