Kaloni te përmbajtja kryesore

​Blair nderohet me “Çelësin e Qytetit” në Prishtinë

Ish-kryeministri i Britanisë së Madhe, Tony Blair është nderuar me “Çelësin e Qytetit” dhe është shpallur qytetar nderi nga Asambleja Komunale e kryeqytetit.

Në fjalën e tij para asamblistëve Blair tha se mënyra më e mirë për të nderuar të kaluarën është duke iu drejtuar të ardhmes.

“Nuk jam vërtet një person shumë retrospektiv. Unë prirem të mos shikoj prapa në kohë. E di që po shikojmë prapa dhe është e drejtë që ta bëjmë këtë. Ishte një moment kaq i rëndësishëm për Kosovën dhe kosovarët, por edhe për botën, sepse simbolizon diçka të rëndësishme. Por unë gjithmonë mendoj se mënyra më e mirë për të nderuar të kaluarën është duke iu drejtuar të ardhmes. Dhe vetëm pak kohë më parë takova disa nga njerëzit nga forcat e armatosura britanike që ishin këtu në atë kohë dhe i falënderoj thellësisht për kontributin e tyre, si dhe ambasadorin dhe të gjithë stafin e tij këtu që vazhdojnë të punojnë këtu”, tha ai.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama tha se falë përkushtimit të ish-kryeministrit britanik dhe aleatëve të NATO-s u ndal terrori i forcave pushtuese serbe në Kosovë.

“Fushata ajrore e NATO-s e mbështetur fuqishëm prej jush zotëri Tony Blair dhe presidentit Clinton ishte jetike për të ndalur terrorin dhe për të nisë epokën e re të paqes. Falë përkushtimit tuaj i erdhi fundi atij tmerri dhe Kosovës iu hapën dyert si vend i lirë dhe pavarur,” tha Rama.

Falënderues ndaj Blair u shpreh edhe kryesuesi i Asamblesë komunale të Prishtinës, Fehmi Kupina.

“I nderuar zotëri Tony Blair nuk ka fjalë dhe shkronjë që mund të përshkruajë falënderimin tonë për kontributin tuaj për lirinë dhe zhvillimin e vendit tonë. Më lejoni që në emër timin dhe kryeqytetit t’iu shpreh mirënjohjen dhe falënderimet më të thella për kontributin tuaj për ne”, tha ai.

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button