Blinken: Liderët kosovarë dhe serbë do të bëjnë kompromise të vështira, shpërblimet do të jenë të mëdha

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë se liderët kosovarë dhe ata serbë do të bëjnë kompromise të vështira për t’i arritur qëllimet e tyre, por që sipas tij shpërblimet do të jenë të mëdha për të gjithë rajonin.
Ai këto deklarata i ka bërë në urimin e tij drejtuar Serbisë për Ditën Shtetërore.
“Shtetet e Bashkuara janë një mbështetëse e fortë e ambicieve të Serbisë në BE. Ne jemi të përkushtuar të punojmë me ju dhe partnerët tanë të BE-së drejt këtij qëllimi të rëndësishëm. Përshëndeta angazhimin konstruktiv të Serbisë me zyrtarët e SHBA-së, BE-së, Francës, Gjermanisë dhe Italisë gjatë një vizite të fundit në Beograd. Jam i bindur se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës do të sjellë siguri dhe prosperitet për Serbinë dhe të gjithë qytetarët e Ballkanit Perëndimor. Sigurisht, liderët serbë dhe kosovarë duhet të bëjnë kompromise të vështira për t’i arritur këto qëllime, por shpërblimet për popullin serb – dhe gjithë rajonin – do të jenë të mëdha.”.
Blinken po ashtu i ka bërë thirrje Serbisë që të mbështesë Ukrainën kundër luftës së paprovokuar, të pajustifikuar dhe brutale të Rusisë.
“Shtetet e Bashkuara mirëpritën mesazhet e Serbisë për mbështetjen e Ukrainës në Kombet e Bashkuara – dhe ne duhet të jemi të bashkuar në mbështetjen e të drejtës së popullit ukrainas për të zgjedhur të ardhmen e tyre.Jam i kënaqur që dy vendet tona nënshkruan së fundmi një Memorandum Mirëkuptimi për të krijuar pozicione ndërlidhëse për diplomatët serbë brenda Departamentit të Shtetit të SHBA-së. Ky program unik jo vetëm që do të nxisë një kuptim më të mirë të synimeve dhe objektivave tona të politikës së jashtme përkatëse, por do të krijojë kanale të reja komunikimi dhe do të ndërtojë partneritete të qëndrueshme.”, thuhet ndër tjerash në urimin e Blinken. /21Media

Back to top button