Blinken udhëton në Lindje të Mesme

 

 

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka udhëtuar për në Lindjen e Mesme dy ditë pasi armëpushimi mes Izraelit dhe Hamasit hyri në fuqi.

Në udhëtimin e tij të parë në rajon si diplomati më i lartë amerikan, Antony Blinken do të takohet me udhëheqës izraelitë, palestinezë dhe rajonalë.

Shtetet e Bashkuara thanë se janë të përkushtuara për të punuar me Autoritetin Palestinez dhe Kombet e Bashkuara, për të siguruar ndihmë të shpejtë humanitare dhe mbështetje ndërkombëtare për Gazën dhe përpjekjet për rindërtimin e saj, thotë VOA.

Ndalesa e parë e Sekretarit Blinken do të jetë Izraeli dhe më pas ai do të vizitojë Bregun Perëndimor, Jordaninë dhe Egjiptin.

“Përqendrimi ynë i vazhdueshëm është të merremi me situatën humanitare, duke filluar rindërtimin dhe të angazhohemi intensivisht me të gjithë, me palestinezët, me izraelitët, me partnerët në rajon”, tha Blinken për CNN.

Ndërkohë, ndërmjetësuesit egjiptianë udhëtuan përtej kufirit të Gazës dhe u takuan me presidentin palestinez, Mahmoud Abbas, rivali kryesor i Hamasit me seli në Bregun Perëndimor, në një përpjekje për të ruajtur armëpushimin. Egjipti ndërmjetësoi armëpushimin e Gazës midis Izraelit dhe militantëve palestinezë të udhëhequr nga Hamasi.

Mjaft ekspertë thonë se armëpushimi nuk do të zgjidhë çështjet afatgjata që kanë parandaluar një zgjidhje të konfliktit. Blinken tha se Shtetet e Bashkuara besojnë se është koha për një zgjidhje që ofron “të drejta të barabarta të izraelitëve dhe palestinezëve”.

Luftimet filluan më 10 maj pas disa javësh të rritjes së tensioneve izraelito-palestineze në Jerusalem. Kulmi i tensioneve arriti kur përleshjet filluan në një vend të shenjtë të nderuar nga myslimanët dhe hebrenjtë. Pastaj, Hamasi filloi të shkrepte raketa në drejtim të Izraelit, duke shkaktuar sulme ajrore hakmarrëse të forcave izraelite.

Dhuna vrau më shumë se 250 njerëz, shumica e tyre në Gaza./21Media

Back to top button