Bllokimi i punimeve në “Rrugën A”, reagon Gjykata Komerciale

(Lajm i përditësuar)


Bllokimi i punimeve në  “Rrugën A” reagon Gjykata Komerciale

Gjykata Komerciale e Kosovës shpreh shqetësimin e saj lidhur me deklarimet e zyrtarëve shtetërorë lidhur me shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të OSHP-së në rastin “Rruga A”, e cila është në procedurë pranë Dhomës së Shkallës së Parë të Gjykatës Komerciale.

Në një reagim thuhet se përmbajtja dhe retorika e mediave, si dhe deklaratat e politikanëve, mund të kenë ndikim të madh në opinionin publik dhe besimin në institucionet gjyqësore.

“Andaj, është e rëndësishme që të ndërtohet një kulturë e respektimit të vendimeve gjyqësore dhe të kujdesemi për të mos paragjykuar ato, duke lënë gjyqtarët të punojnë në mënyrë të pavarur dhe të bazuar në ligj dhe fakte.Palët kanë të drejtën e tyre të shfrytëzimit të mjeteve juridike për vlerësimin e vendimit nga instancat më të larta gjyqësore, andaj nuk duhet të paragjykohet çështja pa marr epilog përfundimtar”, përfundon reagimi i Gjykatës Komerciale.

Ndryshe, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e ka cilësuar si “çmenduri” vendimin e Gjykatës Komerciale për të bllokuar punimet e ndërtimit të “Rrugës A” në Prishtinë, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje ka theksuar se vendimi i Komerciales është pasojë e qasjes anti-ligjore të kryetarit Përparim Rama.


Bllokimi i punimeve në “Rrugën A”, Abdixhiku: Nuk do t’i lejojmë. Rruga e Re dhe Rruga A nuk ndalen

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka reaguar pasi Gjykata Komerciale ka vendosur t’i ndalojë punimet në “Rrugën A”.

Ai e ka qujatur këtë çmenduri. Abdixhiku po ashtu ka përmendur lidhjen familjare të gjyqatares së rastit me deputeten e VV-së.

“Rruga A po ecte në ritëm të mbarë. Punë e palodhshme, në kohë rekord e në afat. Një lagje e re për Prishtinën, një komunitet i ri në bërje.Por ja që në Kosovën e popullistëve puna krijon kundërshtarë. Sot, një gjyaktëse vendosi ta ndalojë atë. Ta ndalojë punën e ndërtimit të rrugës ‘Jim Xhema’ në gjysmë të saj. Gjykatësja, del të jetë motra e deputetes në pushtet.Dhjetra mijëra banorë pa kolektor e në kundërmim, një kryeqytet pa projektin më të madh kapital.”, ka shkruar Ai në Facebook, përcjell portal rtv21.tv

I pari i LDK-së është zotuar se nuk do të lejojnë të ndodh bllokimi i punimeve në “Rrugën A”

“Këta janë përplot mllef e urrejtje; dhe fatkeqësisht urrejnë qytetarët e vet. Punë s’bëjnë vet por punën e tjetrit se durojnë dot. Prishtina dhe qytetarët e kryeqytetit, le ta shohin këtë çmenduri. Fillimisht me bllokim buxheti deri në gusht; tani me bllokim projekti me kapje e familjarë.Nuk do t’i lejojmë. Rruga e Re dhe Rruga A nuk ndalen. Prishtina dhe Kosova do të bëhen!”, ka përfunduar Lumir Abdixhiku.


Komercialja ndaloi punimet në “Rrugën A”, Rama akuzon për vendim politik

Gjykata Komerciale ka marrë vendim për të ndaluar punimet në “Rrugën A” (Jim Xhema) në Prishtinë.

Për këtë Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama thotë se është vendim politik.

“Vendimi i sotëm, i bazuar plotësisht në interesa politike dhe të grupeve të interesit, të cilat me çdo kusht po përpiqen ta bllokojnë transformimin e Prishtinës, është marrë nga, hiç më pak sesa motra e deputetes së VV-së Fitore Pacolli, gjyqtarja Vlora Pacolli.”, shkroi Rama në Facebook.

Ai kërkoi nga Organi Shqyrtues i Prokurimit Publik si palë direkte në këtë procedurë që të ankohet ndaj këtij vendimi.

“Megjithëse nuk jam i prirur që të komentoj vendimet e gjyqësorit, në rastin konkret, nuk ka asnjë logjikë të vendoset masë e përkohshme në kundërshtim me interesin publik dhe ndaj një projekti që ndërlidhet edhe me mbrojtjen e jetës e shëndetit të mijëra qytetarëve të lagjes “Mati”, “Kalabria” dhe “Prishtina e Re”, të cilët me vite të tëra po vuajnë nga kundërmimi për shkak të mungesës së kolektorit. Andaj, shpresoj se Dhomat e Shkallës së Dytë të Gjykatës Komerciale nuk do të lejojnë cenimin e interesit publik për interesa të ngushta dhe inate politike.Kërkojmë nga Organi Shqyrtues i Prokurimit Publik si palë direkte në këtë procedurë që të ankohet ndaj këtij vendimi që cenon interesin publik. Ndërsa, nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, që në kuadër të kompetencave që ka, të sigurohet që ky proces të jetë i drejtë, profesional, i paanshëm, dhe i bazuar vetëm në ligj.”, përfundoi Rama./21Media

Back to top button