Bllokohen xhirollogaritë bankare të Martin Berishajt në Mal të Zi

Autoritetet e Malit të Zi sot kanë bllokuar llogaritë e kompanisë së ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj për shkak të një borxhi prej 31 mijë e 14 euro. Pak ditë më parë ai mohoi të kishte marrë pjesë në pastrim parash.
Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj dyshohet se përmes kompanisë së tij “MB Consulting”, e cila është e regjistruar në Podgoricë, ka pastruar rreth 600 mijë euro.

Sipas Regjistrit Qendror të Subjekteve të Biznesit (CRPS), Berishaj themeloi MB Consulting në dhjetor të viti 2016. Ajo kompani ka realizuar një fitim neto prej 99,141 euro në vitin 2016, ndërsa në vitin 2017 fitimi neto është rritur shumë herë në 807,030 euro. U regjistrua se kishin një xhiro milionëshe.
Sipas raportimeve të mediave në Slloveni, ambasadori i Kosovës në Kroaci dyshohet se ka transferuar rreth 600 mijë euro para të gatshme nga një llogari bankare në Mal të Zi tek politikani slloven Robert Golob. Bëhet fjalë për paratë që kompania “MB Consulting” ka marrë nga kompania energjetike GEN, e cila është e regjistruar në Serbi.
Që nga viti 1989 dhe gjatë viteve 1990, Berishaj është përfshirë aktivisht në jetën kulturore në Slloveni dhe përfshirjen e shqiptarëve në jetën politike atje.
Ai ishte kryetar i partisë së parë shqiptare në Slloveni, “Bashkimi Demokratik i Kosovës”, dhe mori pjesë në zgjedhjet parlamentare në Slloveni në vitin 1990./21Media

Back to top button