“Blonde” u shfaq premierë në Hollywood

Pas shfaqjes premierë të filmit biografik “Blonde” në festivalin e filmit në Venecia, ku ishte në garën për çmimin kryesor, ky film u shfaq premierë në Hollywood.
Me këtë rast, ylli i filmit Ana de Armas, e cila paraqitet me rolin e Marilyn Monroe, për jesëmarrje në Venecia u shpreh se është ndier shumë mirë, se ishte nder i madh për të, se ishte një moment i lumtur që nuk e kishte përjetuar kohë të gjatë. Ajo tregoi se kur është paraqitur atje, e ka kuptuar se sa vlerësohet ky film, pasi që sipas saj, publiku nuk gënjen, e kjo është kuptuar nga prezenca e tyre. Ajo deklaroi se në ato momente ka shikuar stafin realizues, regjisorin, ka parë nënën e saj, e cila ishte e pranishme atje dhe është ndier në mënyrë të magjishme, se është emocionuar pa masë, sepse ishte momenti që e ka pritur.
De Armas tha se ka rënë në dashuri me projektin e filmit “Blonde”, me personazhin e saj dhe me tregimin në përgjithësi. Ajo mendon se me këtë projekt kanë bërë revolucion, sepse sipas saj është shumë i rëndësishëm. De Armas u shpreh se ashtu siç mendon edhe Brodi, se ky film është diçka e mirë për trashëgiminë e Monroes, kështu mendon edhe ajo. Ajo beson se filmi do t’i nxisë njerëzit të kuptojnë më shumë rreth saj, dhe ta duan më shumë.
Aktori Edrien Brodi, i cili në filmin “Blonde” luan rolin e Arthur Miller tha se admiron punën që ka bërë regjisori në realizimin e “Blonde”.
Brodi tha se filmi nxjerr në pah elemente nga jeta e Monroes, qofshin ato të sajuara apo të pasajuara. Bota sipas tij, është e mahnitur pas Monroes. E bukura e këtij filmi është se tregimi i tij rrëfehet sipas perspektivës së një personi.
Brodi shtoi se nuk njeh shumë njerëz që kanë realizuar diçka të tillë dhe edhe vetë ai si aktor ka bërë thuajse një udhëtim të pazakontë në këtë film, sepse aty zbulohen fitoret e dështimet e një personaliteti.
Pas premierës së “Blonde” në Venecia, ka pasur fjalë se si do ta pranojë atë audienca e gjerë, kur të shfaqet në Netflix me 28 të këtij muaji.
Për këtë regjisori Andrew Dominik, i cili njëherësh ka bërë edhe skenarin e filmit, tha se vendos vetë publiku. Megjithatë, sipas tij, kur njeriu fillon të shikojë dramën “Blonde”, vështirë se mund ta lë në gjysmë pa e parë deri në fund.
Kritikët, filmin “Blonde” e kanë vlerësuar kryesisht pozitivisht. Ata çmojnë paraqitjen e Ana De Armas, megjithatë janë të polarizuar nga skenari i Dominik./21Media

Back to top button